OJQ-të: Vendimet e kundërligjshme të ministres në dorëheqje Dhurata Hoxha rrezikojnë të ardhmen e të rinjve kosovarë

IKD-Custom-860x573
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Gusht 8, 2019

Prishtinë – Nëntë organizata të shoqërisë civile, të enjten, kanë reaguar ndaj tentativës së ministres në dorëheqje të integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, për të politizuar institucionin e Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE), duke refuzuar punësimin e bursistëve të shkolluar në universitetet prestigjioze Evropiane.

Sipas OJQ-ve, veprimet e ministres në dorëheqje Hoxha janë të kundërligjshme dhe përbejnë shkelje flagrante të marrëveshjeve ndërkombëtare, respektivisht Marrëveshjes Financiare për Ratifikimin e IPA-së 2016.

Përmes këtij reagimi, OJQ-të në fjalë kanë kërkuar nga ministrja në dorëheqje, Dhurata Hoxha, anulimin e menjëhershëm të konkurseve publike në MIE, punësimin e bursistëve nga bursa YCS, si dhe anulimin e menjëhershëm të çfarëdo mase të kundërligjshme ndaj shërbimit civil të MIE-së.

Reagimi i plotë:

Bursa e BE-së për studim të nivelit MASTER në universitetet Evropian, apo më e njohur si Skema e Profesionistëve të Rinj (Young Cell Scheme – YCS) është ndër projekte më të suksesshme të BE-së në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.

Deri më sot, 364 të rinjtë kanë pasur mundësi të studiojnë jashtë vendit dhe të kthehen dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një Kosove më të mirë. Sot bursistët e kësaj skeme mund të gjenden në mesin e shërbimit civil dhe diplomatik, akademi, shoqëri civile, biznese, media dhe parti politike. Secili nga ta ofron kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e të ardhmes së Kosovës.

Përderisa BE-ja mbulon të gjitha shpenzimet e bursistëve, është obligim i institucioneve të Kosovës të sigurojnë punësimin e tyre në administratën publike. Në këtë formë, bursa kontribuon në ndërtimin e një administrate të pavarur, me integritet dhe profesionale.

Në këtë drejtim, ne – organizatat e shoqërisë civile – shprehim shqetësimin e thellë ndaj tentativës së Ministres në dorëheqje të integrimit Evropian, znj. Dhurata Hoxha, për të politizuar institucionin e MIE-së duke refuzuar punësimin e bursistëve të shkolluar në universitetet prestigjioze Evropiane, dhe në vend të saj të bëjë punësime publike mbi baza partiake.

Këto veprime të Ministres në dorëheqje Hoxha janë të kundërligjshme dhe përbejnë shkelje flagrante të marrëveshjeve ndërkombëtare, respektivisht Marrëveshjes Financiare për Ratifikimin e IPA-së 2016.

Vendimet e kundërligjshme të Ministres në dorëheqje Hoxha rrezikojnë anulimin e bursave të parapara për vitet në vijim që do financojnë shkollimin jashtë vendit të qindra të rinjve Kosovar.

Po ashtu, dënojmë marrjen e masave të kundërligjshme dhe kërcënimet ndaj shërbimit civil të MIE-së.

Në këtë drejtim, ne – organizatat e shoqërisë civile – mbështesim fuqimisht kërkesat e shërbimit civil të MIE-së dhe kërkojmë nga Ministrja në dorëheqje znj. Dhurata Hoxha anulimin e menjëhershëm të konkurseve publike në MIE, punësimin e bursistëve nga bursa YCS, si dhe anulimin e menjëhershëm të çfarëdo mase të kundërligjshme ndaj shërbimit civil të MIE-së.

Në mungesë të veprimit nga ana e Ministres në dorëheqje, znj. Dhurata Hoxha, ftojmë ish-Kryeministrin, z. Ramush Haradinaj të ndërhy në kthimin e ligjshmërisë brenda Ministrisë së Integrimit Evropian.

Reagimi është mbështetur nga:
Demokraci për Zhvillim – D4D
Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS
Iniciativa për Progres – INPO
Instituti Columbus
Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD
Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane – EPIK
Instituti i Prishtinës për Studime Politike – PIPS
Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP
Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu!