Oficeri korrektues i Qendrës së Paraburgimit në Prizren mohon të ketë futur telefon mobil tek i paraburgosuri
Raporton: Valdet HAJDINI
Prizren – Ka filluar mbrojtjen e vet, oficeri korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Prizren Kastriot Leku, i cili akuzohet për veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, me arsyetimin se në mënyrë të paligjshme ka futur telefona celular për të burgosurit.
Në këtë seancë ka dëshmuar Ibrahim Kryeziu, djali i njërit të paraburgosur tek i cili janë gjetur telefoni mobil dhe mbushësi i tij, e që dyshohet se të njëjtat i ka futur i akuzuari Leku.
Dëshmitari Kryeziu para trupit gjykues të udhëhequr nga gjyqtarja Rahima Elezi, deklaroj se të akuzuarin Leku e njeh qe një kohë të gjatë, por që asnjëherë nuk i kishte kërkuar të fuste telefon mobil për babin që ishte i paraburgosur në Qendrën e Paraburgimit.
Në pyetjen e prokurori Mehdi Sefa nëse ndonjëherë i kishte kërkuar ndonjë shërbim të akuzuarit, dëshmitari Kryeziu tha “meqenëse babai vuante nga migrena, në 2-3 raste i kishte kërkuar t’i dërgonte barna kundër migrenës”.
Pas kësaj, shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me mbrojtjen e të akuzuarit. Në mbrojtjen e vet i akuzuari deklaroj se në periudhën maj-gusht 2014 ka punuar si oficer korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, po asnjëherë nuk ka bërë veprime që kanë rënë ndesh me ligjin apo rregullat e qendrës.
Në pyetjen e avokatit mbrojtës Nexhat Elshani nëse ka futur telefona mobil apo mbushës të tyre tek të paraburgosurit, i akuzuari Leku tha se në 2-3 raste i ka dhënë medikamente-solidamor të burgosurit Nexhat, me leje të mbikëqyrësit të ndërrimit.
“Asnjëherë nuk ka ndodhur që unë të fus telefona mobil apo adaptera për të burgosurit, por vetëm në 2 apo 3 raste njërit që burgosur i kam dhënë solidamor dhe atë më leje të mbikëqyrësit”, tha i akuzuari Leku.
Mbrojtjen e vet, i akuzuari Leku do ta vazhdoi më 14 tetor 2016, me fillim në ora 9.00, ku do të merret në pyetje nga prokurori i shtetit dhe anëtarët e trupit gjykues.
Ndryshe, ky shqyrtim gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila ngarkon të akuzuarin Kastriot Leku se me qëllim të përfitimit material për vete, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare. Kjo sipas prokurorisë ka ndodhur në atë mënyrë që në cilësi të personit zyrtar, Oficer Korrektues, ka futur telefon mobil në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, për t’ia dhënë të paraburgosurit B.B. kundrejt një shume të konsiderueshme të hollash.