OBRAD TODOSIC KËRKON ANULIMIN E KONTRATËS SË VËRTETUAR NË GJYKATËN E KRUSHEVCIT
Raporton: Lutfi MORINA
Prizren – Obrad Todosic nga Prizreni, ka thënë se nuk ka nënshkruar asnjë kontratë e as nuk e ka autorizuar askënd për të shitur pronën e tij.
Ai ka inicuar një padi civile në Gjykatën Themelore në Prizren, me të cilën kërkon anulimin e një kontrate për shitjen e një parcele të tij, pas luftës në Kosovë.
Të paditur në këtë rast janë Avdi Gashi, i përfaqësuar nga avokatja Bahrie Besimi, Xhevat Dakaj pa përfaqësues, Refki Zogaj dhe Nait Xhabali të cilët i përfaqëson avokati Ruzhdi Berisha.
Paditësi Todosic, i cili, në seancën e të enjtes, të mbajtur në Gjykatën Themelore në Priren, përfaqësohej nga Sinisha Zabunovic, ka thënë se prej vitit 2001, nuk e kishte vizituar pronën e tij, por në vitin 2006 kishte parë dy objekte të ndërtuara në pronën e tij.
Fillimisht kishte ngritur kallëzim penal ndaj pronarëve, për falsifikim, por nuk kishte ndodhur asgjë.
Pastaj me këshillat e të afërmve kishte ngritur padi civile, për anulimin e kontratës së nënshkruar nga djali i tij Nenad Todosic dhe Cvetu Todosic, gruaja e djalit të axhës së tij.
Avdi Gashi ka thënë se Dukagjin Kabashi, të cilin e ka mik shtëpie, ia ka kërkuar letërnjoftimin, që të regjistrojë një pronë në emër të tij, duke i premtuar se pasi ta shesë pronën, fitimin do ta ndajnë në pjesë të barabartë.
Tutje ka shtuar se vetëm është paraqitur në ish-Gjykatën Komunale të Prizrenit dhe ka nënshkruar dokumentet e shit-blerjes, ku edhe kishte pranuar 5 mijë euro.
Xhevat Dakaj, ka thënë se pronën e kishte blerë përmes Dukagjin Kabashit, me të cilin kishte shkuar deri në Merdar, ku ishte takuar edhe me një serb me emrin Momo.
Me të njëjtin i kishin nënshkruar dokumentet dhe i kishin dhënë atij 50 mijë euro.
Refki Zogaj dhe Nait Xhabali, pronarët aktual të pronës, kanë thënë se tokën e kanë blerë nga Xhevat Dakaj dhe se ata nuk kanë ide se çka ka ndodhur para viti 2005.
Tutje kanë thënë se pronën e kanë blerë në mënyrë të rregullt, përmes gjykatës dhe të gjitha dokumentet kanë qenë në rregull, pagesën e kanë bërë përmes bankës.
Të njëjtit, kur kishin bërë kërkesë për ndërtimin e objektit të lartë, kishin përgatitur të gjithë dokumentacionin, kishin pritur 3 muaj dhe pastaj e kishin marrë lejen, pa pasur asnjë problem rreth pronësisë.
Gjyqtarja e rastit, Edije Sezairi, për shkak të përfundimit të orarit të punës, ka ndërprerë shqyrtimin, ndërsa seancën e radhës e ka caktuar me 22 shtator 2016, ora 10:00.
Gjyqtarja ka vendosur që për seancën e radhës të ftohet Dukagjin Kabashi, që të dëshmojë për rrethanat e shit-blerjes së pronës në fjalë.