Obligohet paditësi të plotësojë adresën e saktë të paditësve, të cilëve po ua kërkon mbi 8 mijë euro për kompensim dëmi

Raporton: Ronesa DRAGUSHA

Prishtinë – Gjykata ka obliguar paditësen Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë – Qendën e Studentëve që të bëjë plotësimin e padisë me adresë të saktë të të paditurve B.R, L.N dhe F.M, nga të cilët e njëjta po kërkon 8 mijë e 240 euro për kompensimin e dëmit.

Në këtë seancë ishte prezent përfaqësuesi i Qendrës së Studentëve, Xhavit Dakaj, raporton ”Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu ka prezantuar i padituri B.R, i cili ka thënë se i padituri tjetër përkatësisht familjari i tij L.N nuk ka mundur të vijë mirëpo është i gatshëm t’i marr përgjegjësitë që rrjedhin nga kjo lëndë dhe të përmbush obligimin për pjesën që iu takon.

I njëjti ka shtuar se dhe pse në procedurë penale kanë pranuar fajësinë, e kontestojnë lartësinë e dëmit andaj dhe nuk kanë mundur të arrijnë marrëveshje me përfaqësuesin e paditëses.

Ndërsa sa i përket të paditurve L.N dhe F.M, B.R tha se jetojnë jashtë vendit.

Ndërkaq, gjykatësja Filloreta Lekiqi ka bërë të ditur se për të paditurit L.N dhe F.M, nga fletë-kthesa ka rezultuar se nuk ka dëshmi se janë ftuar në mënyrë të rregullt dhe se vazhdimisht kanë hasur pengesa në komunikim me të njëjtit.

Andaj gjykatësja Lekiqi e ka obliguar të paditurën që në afat prej tre ditësh ta plotësojë padinë me adresat e sakta të të paditurve tjerë.

Ndërsa sipas padisë së 29 janarit 2013, Ministria e Arsimit e Shkencës dhe Teknologjisë – Qendra e Studentëve kanë paditur B.R, L.R L.N dhe F.M, nga të cilët po kërkojnë kompensimin e dëmit material.

Sipas padisë, të paditurit gjatë muajit janar dhe shkurt 2012, në Qendrën e studenteve në Prishtinë, në bashkëveprim kanë falsifikuar mbi 100 fletëpagesa të shujtës dhe banimit duke i skanuar si të vërteta, në mënyrë që i padituri B.R, flëtëpagesat dhe vulën i ka falsifikuar me logo te Raiffeisen Bankës.

Mbi këtë bazë paditësja ka kërkuar që t’ia aprovohet padia dhe kërkesëpadia dhe të detyrohen të paditurit që në emër të dëmit të shkaktuar t’ia paguajnë shumën në vlerë prej 8 mijë e 240 euro me kamatë 3,5 % nga dita e paraqitjes së padisë.

Ndërsa, përmes përgjigjes në padi 21 korrik 2015, i padituri L.N  ka kërkuar nga gjykata që ta liroi nga përgjegjësia pasi që është krejt i pafajshëm./BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë