Nuk verifikohet data e paraqitjes së padisë, shtyhet gjykim për anulimin e vendimit të ATK-së

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Prishtinë – Për shkak se nuk është verifikuar data e paraqitjes së padisë, është shtyrë gjykimi në rastin ku paditësi “SIM LOGISTIC”, po kërkon anulimin e vendimit të Administratës Tatimore të Kosovës, me të cilin kompania e tij ishte ngarkuar me tatim shtesë.

Sipas padisë-ankesës, ATK-ja kishte marrë vendim me të cilin kishte refuzuar ankesën e subjektit “SIM LOGISTIC”, të cilën ankesë ky subjekt e kishte ushtruar pas pranimit të Njoftim-Rivlerësimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në arsyetimin e vendimit të ATK-së thuhet se Departamenti i Ankesave ka vlerësuar se pretendimet e tatimpaguesit nuk paraqesin argumente të mjaftueshme dhe esenciale për të ndryshuar Njoftim Vlerësimet e tatimit shtesë të caktuara me kontroll, prandaj në bazë të gjendjes faktike, shkresave të lëndës dhe administrimit të provave ka konstatuar se vendimi është i drejtë dhe i bazuar në dispozitat ligjore të ATK-së.

Në seancën e së hënës, përfaqësuesi i palës paditëse, avokati Mahmut Halimi, kërkoi nga gjykata shtyrjen e seancës për sigurimin e provës së pranimit të aktvendimit, lidhur me afatshmërinë e parashtrimit të padisë ndaj vendimit kontestues, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Për shkak se për momentin  nuk jemi në posedim të provës, e cila do të dëshmonte ditën e aprovimit të ATK-së, e cila me siguri ndodhet në shkresat e subjektit, pra në këtë rast ndërmarrjes ose në ATK, kërkojmë nga gjykata që të shtyhet kjo seancë dhe të na jepet një afat i arsyeshëm për sigurimin e provës, mbi bazën e së cilit do të vërtetojmë afatshmërinë e ushtrimit të padisë”, deklaroi avokati Halimi.

Në këto rrethana gjykatësi i çështjes, Fisnik Nuli, e aprovoi propozimin e avokatit për shtyrjen e seancës dhe e obligoi palën paditëse që në afat prej 7 ditësh ta njoftojë gjykatën me provën-dëshminë e pranimit të vendimit kontestues.

Pas kësaj, seanca e radhës u caktua të mbahet më 19 nëntor 2021.

Ndryshe në seancën e sotme nuk ishte prezent pala e paditur, sipas gjykatësit Nuli, e njëjta e ka njoftuar gjykatën që nuk do të marrë pjesë në këtë seancë.

Sipas padisë së ushtruar më 26 korrik 2021, subjekti juridik “SIM LOGISTIC”, ka paditur Administratën Tatimore të Kosovës, lidhur me anulimin e vendimit të lëshuar nga ky organ, me të cilin të njëjtit i është refuzuar  si e pabazuar ankesa.

Paditësi pretendon se inspektori përgjegjës i të paditurës ka konstatuar gabimisht gjendjen faktike, sipas tij vërtetimi është bërë në raport me trajtimin e statusit të të hyrave financiare, duke e bërë objekt tatimor kapitalin e subjektit afarist.

Sipas paditësit, vërtetim i tillë i gjendjes faktike ka transformuar mjetet e tilla financiare, gjë që ka ndikuar në ndryshimin e statusit të tyre dhe kështu ka bërë që mjetet e tilla të konsiderohen si qarkullim shtesë dhe se kjo ka ndikuar në zvogëlimin e kreditimit të TVSH-së. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë