Nuk sqarohet pse po mungojnë dy të akuzuarit, serish dështon gjykimi ndaj 10 personave të ngarkuar për kontrabandim me migrantë

Prishtine
Author

Raporton: Blinerë BEKA

Korrik 19, 2021

Prishtinë – Prapë ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor në të cilin po akuzohen 10 persona për të cilët pretendohet se kanë ndërmarrë veprime me anë të së cilave është synuar kontrabandimi i shtetasve kosovarë.

Shkak i dështimit të kësaj seance ishte vet mungesa e të akuzuarve Haki Maloku dhe Bekim Zeqiri. Mirëpo, në seancë nuk është qartësuar se pse po mungojnë dy të akuzuarit dhe as nuk është vendosur të lëshohet urdhëresë për t’i sjellë me detyrim në seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në këtë seance ishin të pranishëm prokurorja e shtetit Fekrie Kasniqi Fejzullahu, dhe të akuzuarit Sadat Murati, Avdyl Kastrati, Denis Sadriaj, Albert Bulliqi, Bratisllav Dasic, Bashkim Hasani dhe Xhavit Fejzullahu.

Ndërkaq, sa i përket të akuzuarës Arife Loxha, në seancën e kaluar me aktvendim është vendosur që ndjekja penale të pushojë për shkak se për veprën penale për të cilën e njëjta është akuzuar ka arritur parashkrimi.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Sadat Murati, Avdyl Kastrati, Haki Maloku dhe Denis Sadriaj akuzohen për krim i organizuar lidhur me veprën penale të kontrabandimit me migrantë pasi sipas prokurorisë nga muaji qershor i vitit 2011 e deri më 5 shkurt 2013 duke vepruar në kuadër të grupit të organizuar dhe të strukturuar, me qëllim të përfitimeve të dobisë pasurore financiare, kanë kontrabanduar shtetas të Republikës së Kosovës.

Siç pretendon prokuroria, të njëjtit i kanë gjetur migrantët që kanë qenë të interesuar të shkojnë në vende të ndryshme të Evropës, pastaj janë marrë vesh për çmimin që duhej të paguanin migrantët, që arrinte shumën deri në 3000 euro për person dhe pastaj migrantët, në mënyrë ilegale, përmes personave të ndryshëm në Serbi, i kanë dërguar përmes Serbisë dhe Hungarisë në vendet e ndryshme të Evropës, në mesin e të cilëve 4 migrantë i kishte gjetur Abdyl Kastrati, 4 migrantë i kishte gjetur i akuzuari Haki Maloku, e po ashtu 4 migrantë i kishte gjetur Sadat Murati, e pastaj në bashkëpunim me Denis Sadriajn ua kishte falsifikuar dokumentet.

Prokuroria për veprime  të ngeshme në të njëjtën kohë, me veprën penale të krimit të organizuar lidhur me kontrabandim me njerëz  por të mbetur në tentativë, ka ngarkuar kuzuarit tjerë , Albert Bulliqi, Bekim Zeqiri, Bratisllav Dasic, Bashkim Hasani dhe Xhavit Fejzullahu.

Siç thuhet në aktakuzën e prokurorisë, ky grup ka vepruar në dy grupe të ndara, e në grupin e dytë, kanë qenë të përfshirë edhe katër të akuzuarit e parë.

PSRK-ja, në këtë aktakuzë e ka përfshirë edhe Arife Loxhën, e cila akuzohet se duke kryer detyrën e saj si zyrtare për letërnjoftime dhe pasaporta në zyrën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Komunën e Mitrovicës, ka marrë ryshfet nga i akuzuari Bashkim Hasani.

Sipas prokurorisë Loxha, nga data e pavërtetuar e deri më 6 shkurt 2013, ka marrë para për vete dhe të akuzuarin Bashkim Hasani si dhe ka pranuar premtimin për dhënie të parave nga i akuzuari Bashkim Hasani për të kryer në kuadër të autorizimeve të saj veprime zyrtare apo veprime tjera të cilin ajo nuk duhet ti kryente, në atë mënyrë që, pas iështë marrë vesh me të akuzuarin Bashkim Hasani, ua ka rregulluar dokumentacionet e ndryshme, personave të ndryshëm dhe për këto veprime ka pranuar para për vete derti në 400 euro për një rast dhe i ka mundësuar përfitim financiar të akuzuarit Bashkim Hasani, po ashtu deri në 400 euro për një rast.

Për këto veprime të cilat pretendohet se i ka kryer Hasani, i njëjti ngarkohet me veprën penale “dhënia e ryshfetit”.

Ndërkaq, i akuzuari Bratislav Dasic, sipas prokurorisë, nga data e pacaktuar e deri më 26 shkurt 2013, u ka dhënë ndihmë juridike pa autorizim disa personave, të cilëve u ka rregulluar dokumentacione dhe i ka përfaqësuar para organeve të Serbisë, duke u kërkuar pagesë deri në 1200- 3000 euro, për të nxjerrë në emrin e tyre dokumente si certifikata të lindjes, letërnjoftime, pasaporta apo dokumente për marrjen e nënshtetësisë së Serbisë.

Albert Bulliqi me këtë aktakuzë është akuzuar edhe me veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve”, por prokurori për këtë vepër ka hequr dorë pasi është përfshirë në Ligjin për Amnistinë./BetimipërDrejtësi