Nuk sillet në gjykatë marrëveshja për pranim faji, shtyhet gjykimi për mos raportim të pasurisë ndaj asamblistit të VV-së në Kamenicë

75339569_447065552583939_5002512297013280768_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Nëntor 19, 2019

 


Kamenicë – Ka dështuar të mbahet seanca e së martës, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, ndaj asamblistit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, në Komunën e Kamenicës, Blerim Hajdari, i akuzuar për veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Arsye e mos mbajtjes së këtij shqyrtimi fillestar, ishte mos sjellja e një kopje në gjykatë të marrëveshjes për pranimin e fajësisë ndërmjet Prokurorisë Themelore në Gjilan, me të akuzuarin Hajdari, bashkë me mbrojtësin e tij, avokatin Selman Sadiku.

Avokati Sadiku, e ka njoftuar gjykatën se ai me të mbrojturin e tij, kanë arritur marrëveshje me prokurorinë për pranimin e fajësisë, duke kërkuar  që seanca e së martës të shtyhet për një datë tjetër, derisa gjykatës t’i sillet fizikisht kjo marrëveshje nga prokuroria, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Sadri Krasniqi, seancën tjetër e shtyrë për kohë të pacaktuar.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 31 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj tashmë të akuzuarit Blerim Hajdari, me arsyetimin se ai në periudhën kohore 1 deri më 31 mars 2019, si zyrtar i lartë publik, në pozitën e asamblistit të Kuvendit Komunal në Kamenicë, nuk ka vepruar sipas nenit 3 të Ligjit mbi Raportimin, Prejardhjen dhe Kontrollimin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Lajmërimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë Zyrtarët e Lartë 04/L-50, dhe brenda afatit ligjor të paraparë për raportim, nuk e ka raportuar pasurinë e tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Bazuar në aktakuzë, formularin për paraqitjen e pasurisë Agjencisë Kundër Korrupsionit, i akuzuari ia ka dorëzuar pas skadimit të afatit, më 4 prill 2019, me numër të protokollit 03/5061/19, edhe pse nga ana e kësaj agjencie ai ka qenë i njoftuar brenda afatit ligjor lidhur me fillimin e procesit për raportimin dhe paraqitjen e pasurisë.

Me këtë, Blerim Hajdari akuzohet se ka kryer veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi