NUK MBAHET SEANCA NDAJ TË AKUZURVE PËR SHPËRDORIM TË DETYRËS ZYRTARE PËR SHKAK TË MOS SIGURIMIT TË EKSPERTIZËS

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj Seanca e caktuar të mbahej më 20 korrik 2016 në ora 09:30 ndaj të akuzuarve Hajredin Shehu, Agron Shurdhani, Xhelal Gashi dhe Ramiz Shehu  të akuzuar për veprën penale “shpërdorimi i detyrës apo autorizimit zyrtar”, nuk u mbajt sepse nuk ishte siguruar ekspertiza financiare e urdhëruar nga Gjykata.

Trupi gjykues i kryesuar nga Musa Konxheli në seancën e mbajtur më 8 qershor 2016 kishte aprovuar propozimin e mbrojtësit  të të akuzuarit Agron Shurdhani, avokatit Daut Rudi që të ftohet eksperti financiar për të vërtetuar se a ka dëm të shkaktuar, kush është pala e dëmtuar dhe sa është vlera e dëmit.

Çështja penale ndaj të akuzuarve zhvillohet sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj , me të cilën të pandehurit Hajredin Shehu, Ramiz Shehu, Agron Shurdhani, Xhelal Gashi akuzohen se gjatë muajit nëntor – dhjetor 2007 në Kaçanik , në cilësi të personave zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit, kanë shpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë tejkaluar kompetencat, në procedurën e tenderimit për asfaltimin e rrugës lokale të fshatit Stagovë, në Kaçanik, të shpallur më 25 tetor 2007 me numër të prokurimit 109788/07/027/521, në atë mënyrë që i pandehuri Agron Shurdhani  ka nënshkruar kontratë me NTP “Burimi” me seli në Kaçanik , edhe pse këtë kontratë është dashur t’a nënshkruaj menaxheri i zyrës së prokurimit publik. Ndërsa i pandehuri Hajredin Shehu si mbikëqyrës i punimeve për asfaltimin e kësaj rruge më 17 dhjetor 2007 ka përpiluar një raport ku ka konstatuar se nga ndërmarrja “Burimi” janë kryer punët sipas kontratës për pozicionet e caktuara , edhe pse punimet në rrugën e përmendur as që kishin filluar e të cilin raport e kishte përpiluar pas marrëveshjes gojore me të pandehurin Xhelal Gashi, i cili si Kryetar i Kuvendit të Komunës së Kaçanikut , këtë raport e ka konfirmuar edhe me rekomandimin  e 18 dhjetorit 2007 me numër 01-nr.150/2007, e në bazë të cilit raport i pandehuri Ramiz Shehu si ushtrues detyre i zyrës së prokurimit ka lëshuar urdhër-blerje në vlerë prej 267,598 euro.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë