Nuk ka sallë për mbajtjen e seancës, dështon të vazhdojë gjykimi ndaj të akuzuarit se tentoi ta vriste bashkëshorten

Author

Raporton: Arlinda MUQA

Shtator 14, 2021

Pejë- Në mungesë të kushteve për mbajtjen e seancës ndaj të pandehurit F.F, seanca e përcaktuar të mbahet sot shtyhet për datë tjetër. Ai ngarkohet se tentoi ta vriste gruan e tij më 2020.

Kryetari i trupit gjykues Sami Sharraxhiu deklaroi se sallën e caktuar për mbajtjen e seancës së sotme e kishin zënë gjyqtarë të tjerë dhe në një situatë të tillë, seancën e së martës e shtyu për 15 shtator, raporton ‘’Betimi për Drejtësi’’.

“Është ndarë salla nr.1 nga smili, edhe pse ka qenë e rezervuar, në sallë është futur gjyqtar tjetër për të mbajtë seancë, duke e ditur që salla nr.1 është e rezervuar dhe për këtë arsye në pamundësi për ta mbajtë shqyrtimin gjyqësor, për shkak të masave të marra për pandemi shqyrtimi gjyqësor nuk mbahet në zyrë”, deklaroi kryetari i trupit gjykues Sharraxhiu.

Ndryshe, aktakuza e ngritur më 16 tetor 2020 nga Prokuroria Themelore në Pejë, ngarkon F.F, me tre vepra penale si “vrasja e rëndë në tentativë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” në dy raste.

Sipas aktakuzës, në korrik të 2020-ës, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta bashkëshorten e tij, të dëmtuarën N.N. dhe me atë rast ka vënë në rrezik jetën e dëmtuarve, djalit dhe vajzës së tyre.

Thuhet se në ditën kritike, për shkak të disa mosmarrëveshjeve të atëçastshme që kanë ndodhur në shtëpinë e tyre, i pandehuri me të dalë jashtë nxjerr nga brezi revolen e llojit M-57, kal 7.62 mm, ku ka shtënë në drejtim të derës së hyrjes, e më pas ka qëlluar edhe dy herë në drejtim të gruas së tij, e cila ishte brenda në korridor të shtëpisë dhe e njëjta kishte pësuar dëmtime të rënda trupore në boshtin kurrizor.

Me çka, i akuzuari F.F, ka kryer vepër penale të “vrasjes së rëndë në tentativë”.

Në aktakuzë, ai po ngarkohet edhe me dy vepra të tjera penale që pa autorizim ka mbajtur në pronësi dhe kontroll një armë zjarri dhe municion, pa leje të organeve kompetente. /BetmipërDrejtësi.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë.