Nuk ka prova se i akuzuari e ka pranuar ftesën e gjykatës, shtyhet gjykimi për ndihmë në kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare

Besart Dedinca
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Qershor 10, 2021

Prishtinë – Për shkak se nuk ka prova se i akuzuari për ndihmë në kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare, Besart Dedinca, e ka pranuar ftesën e gjykatës, është shtyrë seanca e paraparë të mbahej të enjten për këtë rast.

Kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi, tha se gjykata nuk ka prova se i akuzuari është ftuar në mënyrë të rregullt për seancën e së enjtes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë, mbrojtësja e Dedincës, avokatja Sadije Mjekiqi e ka njoftuar gjykatën përmes një parashtrese, se sipas babait të klientit të saj, ky i fundit gjendet jashtë Kosovës.

Përmes të njëjtës parashtresë, avokatja Mjekiqi gjithashtu e kishte njoftuar gjykatën se nuk mund të ishte e pranishme në seancë, për shkak se në të njëjtën kohë ka një gjykim tjetër.

Kështu, gjykatësi Ajvazi e ka shtyrë seancën në kohë të pacaktuar.

Ndryshe, bashkë me Besart Dedincën akuzoheshin edhe Masar Dedinca, Berat Binaku e Emin Emini. Mirëpo, rasti ndaj Besart Dedincës ishte veçuar, përderisa për të tjerët ka përfunduar gjykimi.

Masar Dedinca akuzohej se si agjent tregtar i “Z-Mobile”, në vitin 2010, kishte keqpërdorur pozitën zyrtare, ndërkaq Berat Binaku dhe Emin Emini akuzoheshin për veprën penale “ndihmë në kryerjen e veprës penale shpërdorim i pozitës  zyrtare”. Për këtë vepër penale akuzohet edhe Besart Dedinca.

Në aktakuzë thuhet se Masar Dedinca, pas marrëveshjes paraprake me Besart Dedincën, Berat Binakun dhe Emin Eminin, kishte inskenuar vjedhjen e çantës me mbushje telefonike, ashtu që çantën e zbrazët  e kishte lënë në ulësen e prapme të veturës, ndërkaq atë me mbushje në lokalin “Rina Bar”.

Në aktin akuzues thuhet se Besarti, Berati dhe Emini në mënyrë të inskenuar kanë marrë çantën me mbushje nga vetura e Masarit, të cilën më pas e kanë hedhur në kontejner në Dragodan, duke i ndihmuar kështu atij në kryerjen e kësaj vepre penale.

Për këtë akuzë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues më 21 maj 2014, ku Masar Dedinca është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej një viti, i cili nuk do të ekzekutohej nëse i akuzuari në periudhën verifikuese prej dy viteve nuk kryen vepër tjetër penale. Berat Binaku është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 8 muajsh, i cili nuk do të ekzekutohej nëse i akuzuari në periudhën verifikuese prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale. Njëjtë sikurse Binaku, është dënuar edhe Emin Emini. /BetimipërDrejtësi