Nuk ka dëshmi se palët kanë pranuar ftesat për seancë, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit për heqje të shenjave zyrtare

foto
Author

Raporton: Blinerë Beka

Prill 6, 2021

Prishtinë – Në mungesë të kushteve ligjore, ka dështuar të nis gjykimi ndaj të akuzuarit për veprën penale Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”, Sherafedin Zhinipotoku.

Seanca e së martës nuk u mbajt në mungesë të palëve, për çka gjykatësi Sabit Sadikaj tha se nuk ka dëshmi nëse të njëjtit i kanë pranuar ftesat në mënyrë të rregullt.

Kështu, seanca u shty në kohë të pacaktuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u bazuar në aktakuzën e ngritur më 21 shtator 2016, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Sherafedin Zhinipotoku akuzohet se në shtëpinë e tij e tij në Prishtinë, me qëllim të furnizimit me energji elektrike në mënyrë të kundërligjshme, pa autorizimin e furnizuesit përkatës, nga njehsori elektrik e ka këputur pllombën distribuitive, të cilën e kanë vendosur personat e autorizuar të KEDS-it/Distribucioni në Prishtinë.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”, nga neni 414 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi