Nuk e pranon fajin se i shkaktoi dëm 3 mijë euro Komunës së Dragashit
Raporton- Samire BINAJ
Prizren- Nuri Ismaili ka mohuar fajësinë për shkaktimin e dëmit ndaj Komunës së Dragashit në vlerë prej 3 mijë euro
Këtë deklarim i akuzuari Nuro Ismaili e ka dhënë të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, pas precizimit të dispozitivit të aktakuzës nga prokurori Mehdi Sefa.
“Nuk e ndjej veten fajtor për veprën penale për të cilën akuzohem” tha i akuzuari Ismaili, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, ai ka pasur vërejtje sa i përket dispozitivit të aktakuzës, i cili tha nuk e di se për çfarë arsye në dispozitiv konstatohet se i njëjti i ka shkaktuar Komunës së Dragashit dëmin në shumën prej 25 mijë e 680 euro.
Pas kësaj, prokurori Sefa ka bërë precizimin e aktakuzës duke thënë se në dispozitiv të aktakuzës të shtohet se dëmi i cili i është shkaktuar buxhetit të Komunës së Dragashit është në shumën prej 3mijë euro.
Po ashtu, në seancën e së enjtes është bërë leximi i shkresave të lëndës, ku fillimisht është bërë leximi i raportit të auditimit për pasqyrat financiare të Komunës së Dragashit për vitin 2019, udhëzimi me shkrim për inicimin e aktivitetit të prokurorimit të Komunës së Dragashit më 18 mars 2019, si dhe 14 prova të tjera për të cilat asnjëra nga palët nuk ka pasur vërejtje.
Tutje, i akuzuari Ismaili tha se mbetet në tërësi pranë deklaratës së dhënë në prokurori të dhënë me 25 nëntor 2020.
Ai shtoi se nuk është i gatshëm që të jap mbrojtjen e tij pasi që janë administruar prova të reja dhe për këtë kërkon nga trupi gjykues që ti jap një afat të arsyeshëm kohor të bëjë përgatitjen.
Për këtë, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi ka ndërprerë seancën e sotme kurse seancën e radhës e ka caktuar që të mbahet më 15 korrik 2022.
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 30 nëntor 2020, e të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Nuro Ismaili po akuzohet se nga 18 marsi 2019 e deri më 28 qershor 2019, si person përgjegjës-menaxher i zyrës së prokurimit në Komunën e Dragashit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për operatorin ekonomik “Avni Murtezi” B.I.
Ismaili ngarkohet se si menaxher në Zyrën e Prokurimit në kundërshtim me ligjin ka lidh kontratë për furnizim me pelet me një operator më të shtrenjtë për 25 mijë e 680 euro.
Po ashtu, ai ngarkohet se ka dështuar të konfiskojë sigurinë e tenderit i datës 5 maj 2019 në shumë prej 3 mijë euro për furnizim me dru dhe pelet nga Operatori ekonomik “Avni Murtezi”. Po ashtu, Ismajli ngarkohet se pa i plotësuar të gjitha dokumentet i lidhet kontrata me operatorin më të shtrenjtë për 25,680 euro duke dëmtuar buxhetin e Komunës.
Me këto veprime, Nuro Ismaili po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3, nën paragrafi 3.2 të Kodit Penal. Sipas nenit 414, paragrafit 1, dënimi parashihet të jetë me burgim prej një deri në tetë vjet. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë̈ fajtorë me vendim të formës së prerë