Nuk e pranon fajësinë i akuzuari për vjedhje të rëndë

thumbnail_IMG_0698
Author

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Prill 7, 2021

Prishtinë – Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, është mbajtur shqyrtimi fillestar ndaj Enis Osmani, i akuzuar për vjedhje të rëndë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ferdane Sylejmani, i pandehuri Osmani u deklarua se nuk ndjehet fajtor për veprën për të cilën po akuzohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari i çështjes Adnan Kamberi, e njoftoi të pandehurin se i njëjti ka të drejtë të parashtrojë kundërshtim me shkrim ndaj provave në të cilat mbështetet aktakuza dhe po ashtu, ka të drejtë të parashtrojë kërkesë për hudhjen e aktakuzës në afatin ligjore prej 30 ditësh.

Ndryshe sipas aktakuzës, më 4 dhjetor 2011, rreth orës 18:50, në Prishtinë, i pandehuri me qëllim që me përvetësimin e pasurisë së huaj të luajtshme, vetit t’i sjell përfitim të kundërligjshëm, kishte depërtuar në shtëpinë e të dëmtuarës B. S., në atë mënyrë që, duke e përdorur forcën, me mjet të përshtatshëm ka hapur dritaren e dhomës së dëmtuarës.

Tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri Osmani nga dhoma e të dëmtuarës kishte vjedhur shtatë unaza ari, në vlerë prej 1500 euro, dhe bizhuteri të ndryshme në vlerë prej 80 euro, dhe sipas Raportit nga Njësia e Teknikës Kriminalistike, Sektori Afisit, është vërtetuar se gjurmët e mbledhura në vendin e ngjarjes i përkasin të pandehurit Osmani.

Me këtë i pandehuri po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” nga neni 253 par.1 pika 1 të KPK-së. /BetimipërDrejtësi