NUK E PRANON FAJËSINË I AKUZUARI PËR VEPRËN PENALE KANOSJE

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan – Afrim Zeqiri i akuzuar për veprën penale “kanosje”, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Gjilan, ka mohuar kryerjen e kësaj vepre penale. Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores të rastit Batije Ademi, dhe njoftimit me të drejtat e tij nga ana e gjykatësit Islam Thaçi, i akuzuari Zeqiri deklaroi se nuk ndjehet fajtor dhe se nuk e ka kryer veprën penale.

Më këtë rast, gjykatësi Thaçi e informoi palën  se deri më 20 gusht  2016 kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesë për hudhje të aktakuzës, kërkesë për kundërshtim të provave apo kërkesë për propozim të dëshmitarëve.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Afrim Zeqiri më 20 shkurt 2015, për shkak të një mos marrëveshje me përfaqësuesin e Spitalit Regjional të Gjilanit Naser Bunjakun e kishte kanosur të njëjtin. Kanosja kishte ndodhur derisa punëtorët e spitalit kishin qenë duke e mbyllur derën me rrethoj, e cila kishte qenë para barnatores së vëllait të të pandehurit, duke i thënë me fjalët se ”unë e ti do të takohemi jashtë këtij vendi”. Në këtë mënyrë i akuzuari ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetë tek i dëmtuari.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë