Nuk e pranon fajësinë i akuzuari për uzurpimin e banesës familjare në Suharekë

Foto Gjykata Suhareke
Author

Raporton: Flutura Rraqi

Shkurt 23, 2021

Suharekë- Nuk e ka pranuar fajësinë i akuzuari Ramadan Zogaj se e ka uzurpuar banesën familjare të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë.

Të pranishëm në seancën e shqyrtimit fillestar të aktakuzës kanë qenë të pranishëm prokurori Shpend Binaj dhe i akuzuari Ramadan Zogaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Binaj, i akuzuari Ramadan Zogaj ka deklaruar se “nuk ndihem fajtorë pasiqë unë në atë banesë jam vendosur qysh nga 1989 dhe në të njëjtën jam kthyer përsëri pas luftës”.

Gjyqtari i çështjes Robert Tunaj ka obliguar të akuzuarin që në afatin prej 30 ditësh të dorëzoj kundërshtimet e tij ndaj akuzës dhe provave, ndërsa shqyrtimin e dytë e ka caktuar më 25 mars 2021 në orën 11:30.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren i akuzuari Ramadan Zogaj nga data e pavërtetuar e vitit 1999 e në vazhdimësi, në mënyrë të kundërligjshme, uzurpon pronën e paluajtshme-banesën familjare që gjendet në rrugën “Fidanishtja” në Suharëkë, sipas ngastrës kadastralene, Zona Kadastrale në Suharekë, pronë e të dëmtuarit Hylki Hamzaj nga fshati Gjinoc, Komuna e Suharekës. /BetimipërDrejtësi