Nuk e pranon fajësinë i akuzuari për përdorim të paautorizuar të pasurisë

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Afrim Rexhepi i akuzuar për veprën penale “përdorimi i paautorizuar i pasurisë”, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Ferizaj nuk pranoi fajësinë për veprën penale që i ngarkohet.

Pasi që i akuzuari nuk pranoi fajësinë, kryetarja e trupit gjykues Hysnije Gashi udhëzoi të pandehurin që brenda afatit ligjor prej 30 ditësh të paraqes kundërshtimet dhe propozimet e tij lidhur me provat apo hedhjen e aktakuzës si të pabazuar.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, akuzon të pandehurin Afrim Rexhepi për veprën penale “përdorimi i paautorizuar i pasurisë”, sepse mes 26 – 27 janarit 2015 në intervalin kohor 20:00 – 08:00 në Shtime, si person zyrtar – hetues në Stacionin Policor në Shtime, pa autorizim ka përdor pasurinë e luajtshme që i’u është besuar për shkak të detyrës. Prokuroria pretendon se i pandehuri deri sa ka qenë në detyrë zyrtare në zbatimin e një plani operativ me veturën zyrtare të markës “Golf 5”, në pikën e karburanteve “Ibrahimi Petrol”, ka marrë një faturë fiktive me numër serik 510112 të datës 27 janar 2015, se kinse është mbushur me 55 litra derivate të naftës vetura zyrtare e policisë e markës “Gold 5”.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë