NUK E PRANOJNË FAJËSINË ZYRTARËT E KOMUNËS SË SUHAREKËS, PËR KEQPËRDORIM TË DETYRËS ZYRTARE

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjten, ka vazhduar shqyrtimi fillestar ndaj Muharrem Elshanit, Kurtesh Fondaj, Hafir Maliqaj, Berat Kabashit dhe Raif Fetiut, të cilët akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Prokurori i çështjes, Sefer Morina, ka njoftuar se i ka pajisur palët në procedurë, me provat e rastit dhe pas kësaj ka lexuar aktakuzën, me të cilën akuzohen të pandehurit.

Të akuzuarit nuk kanë pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohen me këtë aktakuzë, andaj kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, ka vendosur që më 6 maj 2016, të mbahet shqyrtimi i dytë dhe ka njoftuar palët mbrojtëse dhe të akuzuarit se deri në këtë shqyrtim, kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe të bëjnë kundërshtimin e provave.

Më 25 mars 2016, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë, me të cilën të akuzuarin Muharrem Elshani e akuzon se duke qenë drejtor i klubit futbollistik “Ballkani” në Suharekë, ka përvetësuar një pjesë të stadiumit prej 16 ari, për nevoja të objektit të tij afarist banesor “Gradina”, Kurtesh Fondajn e akuzon se duke qenë drejtor i urbanizmit ka aprovuar kushtet e ndërtimit duke e ndryshuar pëlqimin urbanistik të vitit 2009, duke ja mundësuar ndërtimin e parkingut për objektin afarist banesor “Gradina”, ndërsa Hafir Maliqajn, Berat Kabashin dhe Raif Fetiun i akuzon se duke qenë inspektorë të ndërtimit, nuk kanë vepruar sipas autorizimeve dhe detyrave që dalin nga vendi i punës, për të kthyer pjesën prej 16 ari, që i ishte marrë klubit futbollistik “Ballakni”.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë