Nuk e pranojnë fajësinë të akuzuarit për tjetërsimin e pronës komunale

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Të akuzuarit Bashkim Krasniqi, Bedri Bytyqi, Ilaz Susuri dhe Faton Hoxha, kanë deklaruar se ndihen të pafajshëm ndaj akuzave që i ngarkon prokuroria për tjetërsimin e pronës në Komunën e Prizrenit. Deklarimet e të akuzuarve janë bërë gjatë shqyrtimit fillestar në seancën e së mërkurës të mbajtur  në Gjykatën Themelore në Prizren.

Aktakuza e përfaqësuar nga prokurori Metush Biraj, i ngarkon të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme.

Sipas aktakuzës, Bashkim Krasniqi, në cilësinë e inspektorit komunal për ndërtim, nuk ka vepruar për rrëzimin e objektit afarist-banesor të të pandehurit Faton Hoxha, të ndërtuar pa leje në pronë komunale.

I akuzuari tjetër Bedri Bytyqi poashtu akuzohet se duke qenë drejtor i Inspektoratit, megjithëse ka nënshkruar aktvendimin për rrënim të objektit, nuk ka vepruar për të realizuar atë, duke i mundësuar Faton Hoxhës që të vazhdojë ndërtimin.

Ndërsa i akuzuari, Ilaz Susuri akuzohet se ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme pronën ku është ndërtuar objekti, ku të njëjtën, pa fletë-poseduese, ia ka shitur të pandehurit Faton Hoxha për 35 mijë euro.

Poashtu i akuzuari Faton Hoxha akuzohet se pa kontratë të vërtetuar dhe pa dokumentacionin përkatës ka blerë pronën në fjalë nga i pandehuri, Ilaz Susuri dhe më pas ka ndërtuar në atë pronë objektin afarist.

Kryetari i trupit gjykues, Xhevdet Elshani, ka mbyllur shqyrtimin fillestar dhe shqyrtimin e dytë e ka caktuar për 12 tetor 2016, në ora 10:00.

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë