Nuk e pranojnë fajësinë të akuzuarit për dëmtim të pasurisë

20210127_100111
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Janar 27, 2021

Kamenicë – Të akuzuarit Fatbardh Prekorogja dhe Erduan Maliqi, në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, janë deklaruar të pafajshëm për veprën penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Bahtie Ademi, të akuzuarit e kanë mohuar veprën penale me të cilën ngarkohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E dëmtuara Daniella Saviq ka thënë se nuk kërkon kompensim material dhe se ajo nuk e ka parë kush e ka prerë lisin përkatës.

Gjykatësi Sadri Krasniqi, njoftoi të akuzuarit se kanë të drejtën e kërkesës në afat prej 15 ditësh për hudhjen e aktakuzës, provat në aktakuzë dhe ligjshmërinë e saj.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 19 maj 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Fatbardh Prekorogja dhe Erduan Maliqi, me arsyetimin se ata më 4 prill 2020, në Busavatë të Kamenicës, te vendi i quajtur “Steza”, në pronë të dëmtuarës Daniella Saviq, me dashje dhe me veprimet e tyre të kundërligjshme, kanë asgjësuar-dëmtuar, kanë prerë një lis, i cili gjatë rrëzimit e kishte goditur një shtyllë elekrtike të drurit duke e këputur për gjysmë, dhe në këtë mënyrë të akuzuarit me veprimet e tyre, të dëmtuares i shkaktojnë dëm material në vlerë të papërcaktuar.

Me këtë, Fatbardh Prekorogja dhe Erduan Maliqi akuzohen se në bashkëkryerje si bashkëekzekutor kanë kryer veprën penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, nga neni 321 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës 9KPRK). /BetimipërDrejtësi