Nuk arrihet marrëveshje për kompensim dëmi, caktohen tri ekspertiza për aksidentin në trafik

42645902_323835988422786_2354030557999923200_n (2)
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Tetor 11, 2018

Gjakovë – Paditësi Selim Kolgeci, në shqyrtimin përgatitor të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Gjakovë, nuk e ka pranuar ofertën në shumën prej një mijë eurosh të kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”, për kompensimin dëmi për aksidentin në trafik.

I autorizuari i palës së paditur, Veton Robaj, është deklaruar se nuk e kontestojnë bazën juridike, duke shtuar se në këtë seancë në mënyrë që të mos krijohen shpenzime procedurale dhe që të mos zvarritet procedura, oferta e cila vlen vetëm po qe se nuk krijohen këto shpenzime është 700 euro për lëndimet trupore të të gjitha kategorive dhe 300 euro për dëmin material në automjet.

Sipas padisë, paditësi po kërkon që në emër të dëmit material dhe jo material, t’i kompensohet shuma prej 3500 euro.

Ndryshe, i autorizuari i palës paditëse, avokati Blerim Mazreku, ka propozuar që të caktohet eksperti i makinerisë, i cili do të bëjë vlerësimin e dëmit dhe lartësinë e tij.

Ai ka shtuar se meqenëse paditësi në këtë aksident ka pësuar lëndime trupore, ka propozuar që të caktohen edhe ekspertët e ortopedisë dhe psikiatrisë.

Gjykatësi i rastit, Besnik Bislimaj, i ka aprovuar propozimet e palës paditëse, ku ka caktuar për ekspert të makinerisë, ekspertin Afrim Kuqi, dhe si ekspert i ortopedisë-traumatologjisë e ka caktuar ekspertin Seljadin Boshnjaku, ndërsa, si ekspert të psikiatrisë, e ka caktuar ekspertin, Dr. Nysret Pepaj nga Peja.

Seanca e radhës do të caktohet pas pranimit të ekspertizës nga eksperti i makinerisë.

Në padi thuhet se më 22 korrik 2017, kishte ndodhur një aksident komunikacioni në mes  dy automjeteve “VW Passat”, të cilën e ngiste Egzon Mustafa dhe i dëmtuari, Selim Kolegeci.

Sipas padisë, deri te aksidenti ka ardhur për faj të Egzon Mustafa, i cili derisa ishte duke lëvizur në rrugën “Tirana”, dhe me të arritur në afërsi të dyqanit “Viva Fresh”, pasi që kjo rrugë është me dy shirita qarkullues në një drejtim, vozitësi Mustafa ishte duke lëvizur në shiritin e majtë të rrugës, me të arritur në vendin e lartcekur, e kalon vetura e tipit “VW Passat”, e të dëmtuarit, Kolgeci, cili kishte qenë duke lëvizur në shiritin e djathtë, por kalon në shiritin e majtë para veturës së Egzon Mustafës.

Sipas padisë, derisa i dëmtuari ndalet tek vendkalimi i këmbësorëve, për t’iu dhënë përparësi këmbësorëve, mirëpo derisa kishte qenë i ndalur, shkaktuesi i dëmit, Egzon Mustafa, si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë, nuk ka mundur ta ndalte me kohë dhe në pjesën e përparme e godet veturën e Selim Kolegecit, në pjesën e pasme, dhe si pasojë e goditjes së këtyre automjeteve shkaktohet dëme materiale dhe jo materiale, përkatësisht lëndime trupore.

Prandaj, paditësi Kolegeci po kërkon nga Gjykata që të obligohet kompania e sigurimeve “Kosova e Re”, që në emër të dëmit material për shkak të dëmtimit të veturës t’i paguaj një mijë euro, ndërsa sa i përket dëmit material dhe jo material që ka pësuar si pasojë e aksidentit, shumën prej 2500 euro, si dhe t’i paguaj shpenzimet procedurale.