NUHI UKA MBROHET NË HESHTJE PËR DALLAVERET ME PRONA

Raporton: Erlina TAFA

Prizren –  Për gjashtë orë rresht, të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren,  është zhvilluar procedura gjyqësore kundër të akuzuarit Nuhi Uka, ish-kryetari i Gjykatës Komunale në Prishtinë.  Uka së bashku me të akuzuarit e tjerë në këtë rast, mbrohen në heshtje.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon Nuhi Ukën dhe Fehmi Havollin për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, mashtrimit dhe krimit të organizuar. Ndërkaq, Sanije Muçolli tani me profesion avokate dhe ish-gjyqtare akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim dhe nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore. Akuza përfshinë edhe Mirafete Hashani Bislimit, Kadrije Hashanit, Kimete Hashani Ukaj, Hilmije Miftarit dhe Ibadete Hashani Cakaj të cilat akuzohen për veprën penale legalizimi i përmbajtjes së rremë.

Përgjatë kësaj seance janë deklaruar katër ekspertë të propozuar nga mbrojtja, të cilët kishin përpiluar dy ekspertiza të ndryshme varësisht prej kompetencave profesionale duke punuar në çift. Kështu, fillimisht u deklaruan Enver Caja dhe Qazim Fazlija si ekspert të inxhinierisë ndërtimore, ndërsa në pjesën e dytë të seancës u deklaruan Sharr Pllana dhe Xhemajl Hoda- të dy ekspertë të gjeodezisë.

Marrjen në pyetje të këtyre ekspertëve e kundërshtoi fuqishëm Prokurori i rastit Danillo Chicarelli, i cili u ankua se nuk ishte njoftuar lidhur me faktin se të njëjtit ishin planifikuar të deklaroheshin përgjatë kësaj seance. Ai insistoi se kjo paraqet shkelje të dispozitave procedurale, ngase angazhimi i ekspertit duhet bërë nga gjykata apo i njëjti duhet të jetë i angazhuar nga prokuroria në fazat paraprake të procedurës.

Ndërkaq, Bajram Tmava avokat i Kimete Hashani- Ukaj tha se dispozitat procedurale lejojnë angazhimin nga ana e mbrojtjes meqë një gjë e tillë lidhet edhe me parimin e barazisë së palëve. Me këtë ra dakord edhe Trupi Gjykues i kryesuar nga Arcadius Szedek, Vladimir Mikula dhe gjyqtari vendor Valon Kurtaj. Edhe pse u aprovua dëgjimi i ekspertëve, Prokurori Chicarelli mohoi t’u parashtronte pyetje të njëjtëve, duke thënë se ekspertiza e tyre konsiston në dhënien e mendimeve personale dhe si e tillë është irelevante.

Pyetjet që iu parashtroi mbrojtja çiftit të parë të ekspertëve Caja dhe Fazlija, ishin në gjuhën serbe ngase Caja fliste dobët gjuhën shqipe. Ata kishin përpiluar ekspertizën në datën 7 tetor 2015 lidhur me ngastrën kontestuese kadastrale të M.Hashanit dhe ekspertiza kryesisht fliste për mënyrën se si është bërë vlerësimi i kalkulimit të çmimeve të banesave, veçanërisht mënyra se si është kalkuluar tipi i banesave-shtëpia që kanë pasur oborr, ashtu si është dhe ngastra kontestuese. Caja shpjegoi se tipi i banesave-shtëpi dallon prej banesave të rëndomta meqë këtu bëhet fjalë për një objekt ndërtese me një banesë, e jo banesë me më tepër kate. Ai ceku se vlerësimi i këtyre objekteve varet veçanërisht nga sipërfaqja e oborrit, gjë që kontribuon në rritjen e çmimit.

Fazlija nga ana tjetër tha se në momentin kur një person blen banesën e tillë, ai automatikisht fiton të drejtën për shfrytëzim permanent të oborrit, ngase në çmimin total të blerjes llogaritet edhe shfrytëzimi i oborrit. Për më tepër këtë pronë guxojnë ta trashëgojnë trashëgimtarët në linjë të drejtë të gjakut.

Lidhur me këtë ekspertizë, Kryetari i trupit gjykues shprehu shqetësimin se ekspertët e lartpërmendur janë futur në fushën juridike pa pasur kompetenca të tilla profesionale.

Nga ana tjetër ekspertët Pllana dhe Hoda treguan për mënyrat se si bëhet identifikimi i plotë i ngastrës kadastrale përmes sistemit Neto dhe Bruto. Ata shpjeguan se si pas viteve të ’90 blerësit kanë kërkuar që pronësia e tyre të regjistrohet në librat kadastralë, por një gjë e tillë nuk ishte realizuar edhe përpos faktit që Drejtoria për Kadastër dhe Gjeodezi kishte vendosur që të bëhej. Arsyeja e mosrealizimit konsistonte në faktin se gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, Kosova ka qenë e vetmja njësi që nuk ka pasur kadastër etazhe, përkatësisht njësinë për të bërë regjistrimin e ndërtimeve vertikale. Për më tepër, një problem tjetër ka paraqitur fakti që shqiptarët e asaj kohe është dashur të marrin leje të veçantë nga Ministria e Financave në Beograd.

Para përfundimit të seancës Tahir Rrecaj, avokat  të akuzuarit Nuhi Uka theksoi nevojën për marrjen në pyetje të Jovica Jovanoviq, megjithatë trupi gjykues i informoi të pranishmit se Serbia i shpërfill kërkesat për ndihmë juridike ndërkombëtare, andaj sigurimi i Jovanoviqit është pothuajse i pamundur.

Me kërkesën e prokurorit seanca e ardhshme u caktua më 18 mars, ngase i njëjti tha se është duke punuar në ngritjen e një aktakuze të rëndësishme. Në seancën e ardhshme të 18 marsit pritet që prokurori të jep fjalën e tij përfundimtare, meqë të akuzuarit kanë shprehur dëshirë që të mbrohen në heshtje.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë