Noteri kërkon të kompensohet 200 mijë euro nga Oda e Noterëve dhe të anulohet vendimi për shkeljet disiplinore

viber_image_2020-01-13_13-17-31yh
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Janar 14, 2020

Prishtinë – Ka përfunduar gjykimi në konfliktin administrativ, ku noteri Sefadin Blakaj, po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Odes së Noterëve të Kosovës.

Ai pretendon se vendimi ndaj tij, është marrë në mënyrë të kundërligjshme dhe me qëllim të dëmtimit të reputacionit të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas vendimit të Këshillit për Arbitrazh dhe Disiplinë (KAD) të Odës së Noterëve, Blakaj për shkak të shkeljeve disiplinore ishte dënuar me 4500 euro gjobë, si dhe përkohësisht i ishte pezulluar ushtrimi i funksionit të noterit, me arsyetimin se ai së bashku me bashkëshorten e tij, kishin themeluar kompaninë “Eurolex” L.L.C. si dhe “EuroLex&Estates” SH.P.K, si dhe ai sipas vendimit, në mënyrë të kundërligjshme kishte ngarkuar palët edhe me pagesën për letrat e printuara.

Por, një procedurë të tillë disiplinore, po e konsideron të orkestruar nga KAD-i, Blakaj i cili ka iniciuar konflikt administrativ për vlerësimin e ligjshmërisë së këtij vendimi, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor të mbajtur të martën, ai kërkoi nga gjykata që vendimin e atakuar ta anulojë si të kundërligjshëm, madje për dëmin moral të cilin pretendon se i është shkaktuar, ai po kërkon edhe 200 mijë euro kompensim.

Sipas Blakajt, në kompaninë e themeluar ai kishte qenë aksionar i një pjese të aksioneve dhe se me legjislacionin në fuqi, sipas tij, nuk ka asnjë dispozitë ligjore me të cilën atij i pamundësohet që të jetë pronar i një pjese të aksioneve në ndonjë shoqëri tregtare.

“Ligji ka vendosur kufizime në ushtrimin e profesionit të noterit, vetëm në ato raste të cilat mund ta vënë në konflikt interesi punën e noterit”, tha ai.

Ai shtoi se para ndërmarrjes së aktivitetit në fjalë kishte shqyrtuar legjislacionin në fuqi dhe praktikat e mira gjyqësore, duke u siguruar që një aktivitet i tillë nuk ishte i kufizuar.

Ai gjatë kësaj seance, i dorëzoi gjykatës dosjet me të cilat, sipas tij, vërtetohej se tarifa për palët ishte bërë sipas Udhëzimit Administrativ, madje sipas tij, tarifa kishte qenë më e ulët, sesa që ishte paraparë me këtë udhëzim.

Sipas tij, pretendimi i KAD-it, se noteri kishte tarifuar më shumë sesa që ishte paraparë në udhëzim, është i pasaktë.

“Krahasuar me shpenzimet, tarifa ka qenë më e ulët sesa që duhet”, tha Blakaj.

Ai po ashtu theksoi se vendimi i KAD-it të ONK, është i paligjshëm dhe me motive të tjera.

“Si përfundim, dua të them se për kohën kur po flasim ka ekzistuar një disponim shumë i keq i të paditurës dhe organeve qeverisëse të Odës. Qëllimi i vetëm i ish-kryetares së Odës dhe ish-kryetarit të KAD-it, ka qenë jo mbrojtja e ligjshmërisë, por përmes persekutimit të paditësit eventualisht të justifikojnë edhe paligjshmërinë e tyre dhe t’ia mbyllin gojën paditësit përmes represionit”, tha ai gjatë seancës.

Ndërkaq, përfaqësuesi i të paditurës, kryetari aktual i Odës së Noterëve, Aliriza Beshi, deklaroi se institucioni të cilin e udhëheq, e as KAD-i nuk kishin pasur asnjë qëllim ndaj të paditurit, përpos shqyrtimit të rregullt të ankesave të cilat i kishin pranuar.

Ai tha se paditësi, përmes vendosjes së çmimeve paushalle kishte shkelur Udhëzimin Administrativ, i cili kishte paraparë saktësisht se si duhet të tarifohen palët.

“Ne mendojmë se drejtë kanë vendosur organet disiplinore kur e kanë shpallur përgjegjës paditësin për shkelje disiplinore”, tha Beshi duke kërkuar nga gjykata që vendimin e atakuar ta lë në fuqi.

Pas administrimit të provave, palët dhanë fjalët e tyre përfundimtare.

Në fjalën e tij, përfundimtare paditësi kërkoi nga gjykata që të anulojë vendimin e të paditurës, ku përpos kësaj ai bëri edhe precizimin e padisë, sa i përket kompensimit të shumës prej 200 mijë euro për dëmin moral, të cilin pretendon se i është shkaktuar si rezultat i këtyre procedurave.

“Faktet dëshmojnë se vendimi i KAD-it dhe Ministrisë së Drejtësisë është i paligjshëm dhe me shkelje esenciale te dispozitave të procedurës”, tha Blakaj.

Sipas tij, vendimet në fjalë përmbajnë të pavërteta, pretendime pa fakte.

“Vendimet janë fontanë dëshirash të atyre qe i kanë shkruar ato vendime”, shtoi ai.

Ndërsa, në fjalën e tij përfundimtare përfaqësuesi i të paditurës, Alriza Beshi, deklaroi se kërkon nga gjykata që padia e paditësit të refuzohet si e pabazuar dhe se kompensimi të cilin po e kërkon paditësi është i pabazë.

Pas përfundimit të gjykimit, gjykatësi i çështjes, Hajriz Hoti, i njoftoi palët se brenda afatit ligjor do të pranojnë me shkrim vendimin për këtë rast.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 28 korrik 2017, paditësi Sefadin Blakaj, kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit me të cilin Oda e Noterëve, gjegjësisht Këshillit për Arbitrazh dhe Disiplinë (KAD) e kishte shpallur përgjegjës për shkelje disiplinore.

Sipas këtij vendimi, ai ishte dënuar me 4500 euro gjobë dhe ndaj tij ishte pezulluar përkohësisht ushtrimi i funksionit të noterit.

Kjo për faktin, se siç thuhet në padi, i njëjti së bashku me bashkëshorten e tij kishin themeluar kompaninë “Eurolex” L.L.C. si dhe “EuroLex&Estates” SH.P.K, si dhe ai sipas vendimit në mënyrë të kundërligjshme kishte ngarkuar palët edhe me pagesën për letrat e printuara.

Sipas padisë, një vendim i tillë është i kundërligjshëm, andaj kishte kërkuar nga kjo gjykatë që të njëjtin ta anuloj.

Përpos anulimit të vendimit, Blakaj ka kërkuar edhe kompensimin e shpenzimeve të shkaktuara me rastin e procedurave disiplinore dhe atyre në konfliktin administrativ. /BetimipërDrejtësi