NLB-ja kërkon borxhin në emër të kredisë, ndërsa dy nga të paditurit mohojnë se ishin garantues

Gjykata2
Author

Raporton: Shqiponjë GASHI

Gusht 7, 2019

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur shqyrtimi gjyqësor në rastin ku banka NLB, po kërkon nga të paditurit Nerxhivane Vitia, Vehbi Koliqi dhe Shemsi Bublica, kthimin e rreth 800 eurove, me pretendimin se ia kanë borxh në emër të kredisë.

Banka NLB, në shkurt të vitit 2013, kishte ushtruar padi ndaj Nerxhivane Vitia, në të cilën thuhet se më 11 janar 2013, në ish-Kasabanka, që tani është NLB-banka si trashëgimtare juridike, ku sipas padisë, Vitia kishte marr kredi shumën prej 1200 euro, ndërsa të paditurit Koliqi dhe Bublica, ishin garantues që do t’i përmbushnin detyrimet kreditore të të paditurës së parë, në rast se ajo nuk e kthen kredinë.

Në seancën e së mërkurës, përfaqësuesi i NLB-së, Mirsad Pepova, tha se Nerxhivane Vitia, kishte mbetur borxh në shumën prej 783.21 euro, e cili ka kërkuar që pagesa e këtij borxhi të bëhet nga paditurit Vitia, Koliqi dhe Bublica.

“Edhe në seancën e kaluar kemi deklaruar se e paditura Nerxhivane Vitia, ka ngel borxh në shumën prej 783.21 euro edhe sipas kësaj gjendje ne kërkojmë pagesën e këtij borxhi nga marrja e kredisë nga Nerxhivane Vitia, dhe ndaj dy garantusve Vehbi Koliqi dhe Shemsi Bublica si në padi”, tha përfaqësuesi i paditëses.

Ai tha se në kohën kur është lëshuar kredia për të paditurën e parë nga banka e atëhershme, ka pas si formë dhënien e deklaratës nga garantuesit, e cila sipas tij, është pjesë e marrëveshjes së kontratës për dhënien e kredisë.

Pretendimet e përfaqësuesit të NLB-së, i ka kundërshtuar përfaqësuesi i të paditurve Koliqi dhe Bublica, avokati Halim Koliqi.

Ai tha se të paditurit Koliqi dhe Bublica nuk kishin nënshkruar kurrfarë dokumenti lidhur me kredinë e pretenduar, e as deklaratën e vitit 2004, siç sipas tij, po pretendon pala paditëse.

“Kjo mund të argumentohet edhe me faktin se kontrata për marrjen e kredisë nga e paditura e parë me paditësen është lidh në vitin 2005, gjë që është në kundërshtim edhe me rregullat e bankës të asaj kohe që një deklaratë të nënshkruhet ni vit më parë, ndërsa kontrata të lidhet ni vit më vonë”, tha përfaqësuesi i të paditurve Koliqi.

Ai tha se kjo është vërtetuar edhe me ekspertizën e bërë në procedurën penale nga Agjencia Kosovare e Fornezikës, për të paditurin Vehbi Koliqi, ku sipas tij në bazë të ekspertizës së bërë ishte vërtetuar se nuk ishte nënshkrimi i tij.

Mirëpo përfaqësuesi i paditëses Popova, i ka kundërshtuar pretendimet e avokatit Koliqi, duke theksuar se kjo nuk vërteton asgjë me arsyetimin se gjykata në rastin penal nuk kishte dhënë ndonjë vendim për shkak se rasti ishte parashkruar.

Në seancën e së mërkures ishte ftuar në mënyrë të rregullt edhe e paditura e pare, Nerxhivane Vitia, për të cilën gjykatësi Enver Shabanaj, njoftoi se mungesen e saj nuk e kishte arsyetuar.

Seanca e radhës u caktua më 23 shtator 2019, duke filluar nga ora 13:30.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 11 janar 2013, paditësja NLB-Banka (Trashëgimtare juridike e Kasabankës), po kërkon nga të paditurit Nerxhivane Vitia, Vehbi Koliqi dhe Shemsi Bublica, t’ia paguajnë borxhin në emër të kredisë së pakthyer shumën prej 783.21 euro, dhe atë me kamatë ligjore prej 12%, si dhe kamatë vjetore prej 4.5%.

Sipas padisë, e paditura e parë Nerxhivane Vitia, më 17 mars 2005, ka marrë kredi në ish-Kasabanka, që tani është NLB-banka si trashëgimtare juridike, shumën prej 1200 euro, me kamatë ligjore prej 12%, në afat kthimi prej 12 muajsh.

Siç thuhet në padi, i padituri i dytë, Vehbi Koliqi, si dhe i padituri i tretë, Shemsi Bublica, sipas deklatratës së tyre dhe kontratës që kishin nënshkruar, ata janë si garantues që do t’i përmbushin detyrimet kreditore të paditurës së parë në rast se ajo nuk e kthen kredinë.

Andaj, përmes kësaj padie, NLB-banka, po kërkon nga gjykata që t’i obligojë të paditurit që në mënyrë solidare t’ia kthejnë borxhin në emër të kredisë së pakthyer shumën prej 783.21 euro, me kamatë ligjore si dhe kamatën vjetore prej 4.5%.