Njësia e paraburgimit dështon të sjellë të akuzuarin në seancë, shtyhet gjykimi

IMG_6184
Author

Raporton: Lavdim MAKSHANA dhe Flakrona REXHEPI

Prill 7, 2021

Prishtinë – Seanca e paraparë të mbahet të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet si pasojë e mos prezencës së të akuzuarit Fatlum Gashi i cili gjendet në paraburgim.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Agim Kuqi, tha se gjykata ka lëshuar urdhëresë e cila është pranuar nga njësia e paraburgimit me kohë dhe në mënyrë të rregullt mirëpo nuk dihen arsyet se përse nuk kanë arritur të sjellin të akuzuarin Gashi në gjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Mejdi Dehari tha se nuk ka  ndonjë propozim pasi që nevojitet prezenca e të pandehurit në mënyrë që të zhvillohet procedura.

Në këto rrethana, pasi që nuk kishte kushte për mbajtjen e këtij shqyrtimi gjyqësor, seanca u shty me 20 prill ora 9:30.

Bashkë me Gashin akuzohej edhe Naser Gashi, por ndaj tij është veçuar procedura.

Të akuzuarin Naser Gashi,  Gjykata Themelore në Prishtinë me 22 shkurt 2018 e kishte shpallur fajtor për  posedim të 1298,5 gramë marihuanë.

Ai është dënuar me dy vjet burgim me kusht, dënim i cili nuk do të ekzekutohej nëse i njëjti nuk kryen ndonjë vepër penale brenda dy viteve.

Gashit i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga 16 mars 2017 deri me 16 qershor 2017.

Pos dënimit me kusht, Gashi ishte dënuar edhe me 800 euro gjobë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 16 mars 2017,  në rrugën “Holgen Petersen” në hyrje të QKUK-së, pjesëtarët e policisë, kanë ndaluar një  veturë, të cilën e drejtonte i pandehuri Fatlum Gashi, ku gjatë kontrollit të njëjtit i është gjetur një qese me narkotik e llojit marihuan në peshë prej 1.2 gram.

Tutje në aktakuzë, thuhet se tek i pandehuri Naser Gashi, i cili ishte në të njëjtën veturë si pasagjer gjatë kontrollit, i është gjetur një qese me narkotik e llojit marihuan në peshë prej 4.1 gram, ndërsa në veturë nën ulësen e vozitësit është gjetur edhe një qese me marihuan me peshë 55.6 gram; pas kësaj pjesëtarët e policisë kanë bërë edhe bastisjen e shtëpisë së të pandehurit Naser Gashi në Hajvali.

Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë kontrollit në tavanin e shtëpisë kanë gjetur edhe 1298.5 gram narkotik, të cilat i’a kishte dhënë i pandehuri Fatlum që ti mbajë, e të cilën e kanë poseduar pa autorizim me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, në peshë të përgjithshme prej 1359.4 gram, kështu qe nga ekzaminimi i mostrave të marra nga sasia e lartcekur e narkotikëve ka treguar se është prezent kanabisi(marihuana) që përmban Tetrahidrokanabinol(THC).

Me këtë kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar arkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 273 par. 1 lidhur me nenin 31 të KPR të Kosovës. /BetimipërDrejtësi