Njëri nga të akuzuarit pa avokat, dështon gjykimi për grabitjen në qendrën tregtare në Deçan

Peje
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Korrik 12, 2019

Pejë – Ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj Norik Hashani, Besfort Kabashi, Fatlum Bytyqi dhe Leutrim Bajselmanaj, të akuzuar për grabitjen në qendrën tregtare “Viva Fresh Store”, në Deçan.

Ata akuzohen se në janar të këtij viti, duke vepruar si grup dhe me përdorim të revoles kishin grabitur mbi tetë mijë euro nga punëtorët e kësaj qendre tregtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Arsyeja e dështimit të seancës të së premtes, ka qenë mungesa e mbrojtësit të të akuzuarit Besfort Kabashi, që sipas tij, nuk ka arritur që të realizojë marrëveshje me një avokat të cilin familja e tij ka tentuar ta angazhojë.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Sami Sharaxhiu, për këtë shkak nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e gjykimit, duke bërë që seanca të shtyhet për 28 dhe 29 gusht 2019, në ora 10:00.

Ndryshe, prezent ishin të akuzuarit Norik Hashani me mbrojtësen e caktuar sipas detyrës zyrtare, avokaten Venera Gashi, i akuzuari Fatlum Bytyqi, me mbrojtësit, avokatër Sali Mekaj dhe Blerim Ademaj, i akuzuari Leutrim Bajselmanaj, me avokatin e caktuar sipas detyrës zyrtare, Shqiponja Beqiraj.

Po ashtu, prezent ishte edhe prokurorja Valbona Disha –Haxhosaj, të dëmtuarit Albiona Ramosaj dhe Valon Bozhdaraj, si dhe përfaqësuesi i të dëmtuarës “Viva Fresh Store”, avokati Kujtim Kërveshi.

Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 26 mars të këtij viti, të pandehurit Norik Hashani dhe Leutrim Bajselmani e kishin pranuar fajësinë, ndërsa dy të pandehurit të tjerë, Fatlum Bytyqi dhe Besfort Kabashi ishin deklaruar të pafajshëm.

Mirëpo, ky pranim i fajësisë nuk ishte aprovuar nga gjykatësi Sami Sharraxhiu, me arsyetimin se katër të pandehurit kishin vepruar në grup dhe jo ndaras.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, të ngritur më 7 mars 2019, i ngarkon të pandehurit Norik Hashani, Besfort Kabashi, Fatlum Bytyqi dhe Leutrim Bajselmanaj se më 21 janar 2019, rreth orës 11:23, në Deçan, duke vepruar si grup dhe me përdorim të revoles kishin kryer grabitur 8543 euro, nga punëtorët e “Viva Fresh Store”, Albina Ramosaj dhe Valon Bozhdaraj.

Aktakuza përshkruan veprimet e të pandehurve si të planifikuara dhe të koordinuara ndërmjet tyre, ashtu që sipas prokurorisë, i pandehuri Alban Gashi (i cili gjendet në arrati), i kishe siguruar grupit informacionet e sakta, ndërsa sipas sugjerimeve të të pandehurit Fatlum Bytyqi, i akuzuari tjetër Besfort Kabashi, merr me qira një makinë, me të cilën të pandehurit Norik Hashani dhe Leutrim Bajselmani shkojnë në Deçan dhe parkohen tek parkingu i “Viva Fresh Store”.

Sipas akuzës, në momentin kur të dëmtuarit dalin nga marketi me qëllim të dërgimit të pazarit në bankë, i pandehuri Norik Hashani, vjen me veturë afër të dëmtuarës Ramosaj dhe nga vetura del i pandehuri Leutrim Bajselmani dhe nën kërcënimin e armës ia merr çantën nga krahu, në të cilën gjendej shuma prej 8 mijë e 543,67 euro.

Sipas aktakuzës, këto të holla të pandehurit i ndajnë ndërmjet vete.

Dispozitivi i dytë i aktakuzës e ngarkon Besfort Bytyqin se kishte poseduar armën “Zoraki” pa autorizim, e cila ishte përdorur nga i pandehuri Leutrim Bajselmani për kryerjen e grabitjes. /Betimipërdrejtësi