Njëri nga të akuzuarit në Belgjikë, pezullohet gjykimi për vjedhje në objektin e ish-metalikut në Gjakovë

Gjakovë
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Shtator 10, 2019

Gjakovë – Gjykata Themelore në Gjakovë, në seancën e së martës, e ka pezulluar procedurën penale kundër të akuzuarve për vjedhje në bashkëkryerje, Demokrat Tafa dhe Shpejtim Cufa.

Një aktvendim të tillë e ka marrë gjykatësja e rastit, Ilirjana Hoti, pasi që ndaj të akuzuarve Tafa dhe Cufa ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim nga Stacioni Policor në Gjakovë, mirëpo sipas njoftimit të Policisë, i akuzuari Tafa, gjendet në Belgjikë, ndërsa i akuzuari Cufa nuk i është përgjigjur thirrjes.

Sipas gjykatëses Hoti, shqyrtimi do të vazhdojë pas sigurimit të prezencës së të akuzuarit Tafa, për të cilin Gjykata do të lëshojë urdhërarrest.

Në seancë ishte e prezent prokurorja Deshirë Jusaj, e njëjta ka bërë përmirësimin e kualifikimit juridik të aktakuzës, ashtu që është shtuar se vepra penale është kryer në bashkëkryerje.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 25 shkurt 2019, Demokrat Tafa dhe Shpejtim Cufa, po akuzohen se më 5 janar 2019, rreth orës 13:00 në objektin e ish-metalikut në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë kanë kryer veprën penale të vjedhjes.

Sipas aktakuzës, vjedhja ka ndodhur në atë mënyrë që pasi të akuzuarit më parë janë marrë vesh mes vete dhe i kanë ndarë rolet kanë shkuar në objektin e ish-metalikut dhe me një karrocë i kanë bartur metalet e hekurit, dhe me to ikin nga aty, në rrugë gjatë bartjes janë vërejtur  nga roja i objektit, ashtu që më pas të pandehurit e kanë lënë karrocën me metal në rrugë dhe ikin në drejtim të panjohur. /BetimipërDrejtësi