Njëri nga shtatë të akuzuarit mungon për shkaqe shëndetësore, shtyhet gjykimi për shpëlarje parash e narkotikë

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Prishtinë – Mungesa për shkaqe shëndetësore e të akuzuarit Shpejtim Hamiti u bë shkak që në Departamentin Special të dështojë gjykimi për shpëlarje parash, narkotikë dhe armëmbajtje pa leje.

Shpejtim dhe Flamur Hamiti, Bashkim Braha, Shkëlqim Ilazi, Shkumbin Berisha, Ardonit Mustafa dhe Arburim Ahmeti sipas aktakuzës së PSRK-së, nga 16 maji e deri më 7 tetor 2018, kishin transportuar dhe shitur substanca narkotike të llojit kokainë dhe kanabis, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Shpejtim Hamiti, mbrojtësi i tij, avokati Islam Musa ka deklaruar se i njëjti për shkaqe shëndetësore nuk ka mundur të jetë i pranishëm.

Ndërsa, mbrojtësit e të akuzuarve Shkumbin Berisha dhe Ardonit Mustafa, avokatët Fitim Shabani dhe Kushtrim Obrazhda, kanë kërkuar nga gjykata që seanca e paraparë të mbahet më 2 nëntor 2021, të shtyhet, pasi sipas tyre në ditën e njëjtën kanë një seancë tjetër në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në mungesë të kushteve për mbajtjen e gjykimit, gjykatësi Mentor Bajraktari seancën e së hënës e ka shtyrë më 30 nëntor 2021.

Në këtë rast, të akuzuar kanë qenë edhe Bunjamir Jaha dhe Pajtim Hamiti, mirëpo të njëjtit në faza të mëhershme të procedurës kishin pranuar fajësinë për veprat që u ngarkoheshin.

Sipas aktakuzës së ngritur më 31 maj 2019 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Bunjamir Jaha, Shpejtim Hamiti, Flamur dhe Pajtim Hamiti, si dhe Bashkim Braha dhe Shkëlqim Ilazi, akuzohen se nga 16 maji e deri më 7 tetor 2018, në Ferizaj, Kaçanik dhe fshatrat të këtyre komunave, kishin transportuar dhe shitur substanca narkotike të llojit kokainë dhe kanabis.

Këta të akuzuar, sipas PSRK-së, sipas marrëveshjes paraprake, duke i ndarë rolet, ishin furnizuar nga Republika e Shqipërisë.

I akuzuari Bunjamir Jaha, sipas prokurorisë, ishte ndaluar për kontroll në “Vërmicë” dhe i është gjetur në automjetin e tij “Audi A4”, kokainë në sasi 549,44+0.0001 gramë.

Në aktakuzë thuhet se, në banesën në Ferizaj, të cilën të akuzuarit e kishin marrë me qira nga i akuzuari Shpejtim Hamiti, e të cilën e kishin shfrytëzuar për të ushtruar veprimtari kriminale, policia kishte sekuestruar kokainë në sasi prej 2+0.0001 gramë, si dhe substanca-preparati kanabis, marihuanë, në sasi 5.54+0.0001 gramë, si dhe peshore dhe aksesorë tjerë, të cilat iu kishin shërbyer për matjen, renditjen, ndarjen dhe sistemimin e këtyre narkotikëve.

Për këto veprime, PSRK të akuzuarit po i ngarkon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

I akuzuari Bashkim Braha, ngarkohet se nga data e pacaktuar e deri më 7 tetor 2018, në shtëpinë e tij në fshatin “Stogovë” në Komunën e Kaçanikut, në mënyrë të paautorizuar kishte mbajtur në posedim armën “Zastava M-57”, e kalibrit 7.62 mm, me një karikatorë dhe 9 fishekë të kalibrit 7.62, një revole e kalibrit 6.32 mm me një karikatorë dhe 4 fishekë, 41 fishekë të kalibrit 7x64mm si dhe 6 fishekë të pushkës së gjuetisë të kalibrit 12mm.

PSRK të akuzuarin Braha po e ngarkon me veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

I akuzuari Arburim Ahmeti po akuzohet se më 29 shtator 2018, në shtëpinë e tij në fshatin “Greme”, në Ferizaj, kishte pranuar nga i akuzuari Shpejtim Hamiti narkotikë në peshë 7.6 gram, të cilën e kishte vendosur në figurat e shahut, me qëllim që së bashku me tabelën e shahut ta dërgojë në qendrën korrektuese në Dubravë, tek Meriton Aliu, i cili kishte qenë në vuajtje të dënimit.

Në aktakuzë thuhet se kjo sasi e fshehur në figura së bashku me tabelën e shahut, ishin sekuestruar në banesën e të akuzuarit Shpejtim Hamiti, ku pas ekzaminimit kishte rezultuar 5.54+0.0001 gramë substancë/preparat narkotik kanabis (marihuanë).

Edhe të akuzuarin Arburim Ahmeti, PSRK po e ngarkon me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas PSRK-së, i akuzuari Shpejtim Hamiti nga 18 tetori 2016 e deri më 29 qershor 2018, kishte bartur te xhirollogaria e të akuzuarit Ardonit Mustafa, 36 mijë e 875 euro, për të cilat të ardhura nuk kishte prova se ishin nga një aktivitet i rregullt ekonomik.

Ai po akuzohet se në marrëveshje me të akuzuarin Shkumbin Berisha kishte bartur të xhirollogaria e tij në Bankën Ekonomike 7 mijë euro, për të cilat nuk kishte pasur prova të fitimit në mënyrë ligjore, por kishte qenë pasuri e fituar nëpërmjet veprimtarisë së kundërligjshme të trafikimit me narkotikë dhe shndërrimin e një pjese të të ardhurave në automjete.

Kështu, sipas PSRK-së i akuzuari Shpejtim Hamiti përmes të akuzuarve të tjerë kishte përdorur të ardhurat nga aktivitete e dyshuara, ku nga veprimtaria e trafikimit të narkotikëve kishte përfituar 75 mijë e 500 euro, si dhe kishte përfituar edhe dy BMW, ku njëra veturë ishte qenë e regjistruar në emër të të akuzuarit Shkumbin Berisha.

Sipas PSRK-së, i akuzuari Shkumbin Berisha kishte pranuar 7 mijë euro nga i akuzuari Shpejtim Hamiti, para të cilat dyshohen se ishin fituar nga veprimtaria e kundërligjshme e trafikimit me narkotikë të të akuzuarit Shpejtim Hamiti dhe automjetin BMW me vit prodhimi 2008, e kishte doganuar dhe regjistruar në emër të tij.

Shumën prej 36 mijë e 875 euro nga i akuzuari Shpejtim Hamiti, sipas PSRK-së, e kishte pranuar edhe i akuzuari Ardonit Mustafa.

I akuzuari Bashkim Braha, sipas aktakuzës, nga 12 shtatori 2016 kishte në pronësi automjetin “IMT 539”, me vit të prodhimit 2009, si dhe nga 12 shtatori 2017 kishte në përdorim automjetin “Audi A4”, vit i prodhimit 2008, e regjistruar në emër të motrës së tij, ku sipas prokurorisë kishte prova se të njëjtat ishin blerë nga veprimtaria e kundërligjshme e trafikimit me narkotikë.

PSRK, të akuzuarit Shpejtim Hamiti, Shkumbin Berisha, Ardonit Mustafa dhe Bashkim Braha po i ngarkon me veprën penale “shpëlarje e parasë”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë