Njëri nga dy të akuzuarit del të jetë ish-praktikant i gjykatës, gjyqtari kërkon përjashtimin nga lënda penale ndaj tij

Raporton: Hajrije Krasniqi

Malishevë- Për shkak se i akuzuari Besart Berisha më herët ka qenë praktikant në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, gjyqtari i çështjes Lulzim Paçarizi, ka kërkuar përjashtimin e tij nga lënda penale për lëndim të lehtë trupor, ndaj tij dhe Arsim Berishës.

Dy të akuzuarit ngarkohen se në dhjetor të 2019-ës pas një mosmarrëveshje përplasen fizikisht dhe i shkaktojnë njëri-tjetrit lëndime të lehta trupore.

Meqenëse i akuzuari Berisha më herët ishte praktikant i kësaj gjykate, gjyqtari Paçarizi tha se do të kërkojë nga kryetari i Gjykatës së Gjakovës përjashtimin e tij nga kjo procedurë, raporton “Betimi për Drejtësi’.

“Seanca duhet të ndërprehet, sepse me rastin me marrjes së të dhënave personale të të akuzuarit Besart Berisha, gjykata vërejti se i njëjti ka qenë praktikant i kësaj gjykate dhe lënda duhet t’i dërgohet për vendosje kryetarit të Gjykatës në Gjakovë, për vendosje rreth përjashtimit”, tha gjyqtari Paçarizi.

Në këto rrethana, gjykimi u shty në kohë të pacaktuar.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 16 qershor 2020 ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve Besart Berisha dhe Arsim Berisha, me arsyetimin se të njëjtit, më 9 dhjetor 2019, në Malishevë, saktësisht në rrugën “Ibrahim Mazreku”, me dashje i shkaktojnë njëri-tjetrit lëndime të lehta trupore.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, i akuzuari Besart Berisha, fillimisht në autolarjen e tij takohet me të dëmtuarin Arsim Bersha, i cili vjen për të marrë disa gjëra të djalit të tij që kishte punuar tek i akuzuari, ku fillimisht fjalosen, pastaj shtyhen në mes vete dhe i akuzuari e merr një shufër metalike dhe e godet disa herë të dëmtuarin dhe më pas ndërhyjnë qytetarët dhe i ndajnë.

Në aktakuzë thuhet se të dëmtuarit i shkakton lëndime të lehta trupore, lëndime këto të konstatuara nga ekspertiza mjeko-ligjore.

Sipas aktakuzës, me këtë i akuzuari Besart Berisha, akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185, paragraf 2, lidhur me paragraf 1, dhe nënparagraf 1.4 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i akuzuari Arsim Berisha, fillimisht shkon në autolarjen e të dëmtuari Besart Berisha, i cili shkon për të marrë disa gjëra të djalit të tij që kishte punuar tek i akuzuari, ku fillimisht fjaloset me të dëmtuarin, e më pas përplasen fizikisht, lidhur me pagesën e djalit të tij, ku i akuzuari e merr një dru dhe e godet të dëmtuarin Besart Berisha dhe më pas ndërhyjnë qytetarët dhe i ndajnë.

Në aktakuzë thuhet se të dëmtuarit i shkakton lëndime të lehta trupore, lëndime këto të konstatuara nga ekspertiza mjeko-ligjore.

Sipas aktakuzës, me këtë i akuzuari Arsim Berisha, akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185, paragraf 2, lidhur me paragraf 1, dhe nën paragraf 1.4 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë