Njëri ish-zyrtar i “Lesna” në Mitrovicë dënohet me burg efektiv, tjetri me kusht

Raporton: Saranda MEHANA

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë, ka marr aktgjykimin dënues ndaj ish- zyrtarëve të institucionit financiar “Lesna” në Mitrovicë, Ardian Jonuzi dhe Berat Hasani, të cilët akuzoheshin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur të martën, në prezencën e të akuzuarve, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Halili, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, Ardian Jonuzi është dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burg efektiv.

Ndërsa, Berat Hasani është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës një vjeçare.

Jonuzi dhe Hasani, janë ngarkuar edhe me shpenzimet e procedurës me nga 100 euro, për secilin.

Kurse, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil.

Ndërkaq, sa i përket veprës penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar”, nga neni 348 paragrafi 1 te Kodit Penal të Kosovës, me të cilin akuzohej Ardian Jonuzi është marr aktgjykim refuzues, pasi që në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur më 20 prill 2018, prokurori Ismet Ujkani kishte hequr dorë nga ndjekja penale për shkak të parashkrimit absolut.

Ndryshe, Ardian Jonuzi dhe Berat Hasani, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 4 maj 2016, akuzoheshin se në cilësinë e analistëve të kredive në institucionin jo bankar “LESNA”, dega në Mitrovicë, kanë nënshkruar kontrata në emër të kredi marrësve, me ç ‘rast kanë mundësuar lidhjen e kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale, ku vlera e tërësishme e përfitimit të personave të tjerë arrin shumën prej 55.500 euro.

Përkatësisht, Jonuzi akuzohej se ka mundësuar lidhjen e gjithsej 48 kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale në vlerë prej 46.800 euro dhe se ka nënshkruar vetë 33 kontrata në emër të kredi marrësve.

Ndërsa, Hasani po ashtu akuzohej se në emër të kredi marrësve ka mundësuar lidhjen e gjithsej 3 kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale në vlerë prej 8.700 euro.

Me këtë akuzoheshin se kanë kryer veprën penale  “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e cila dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë