Njëri i akuzuar për vjedhje të rëndë e pranon fajin, tjetri deklarohet i pafajshëm

20191107_104207
Author

Raporton: Mirjeta PLAKIQI

Nëntor 7, 2019

 

Drenas – Njëri nga dy të akuzuarit për vjedhje të rëndë, Lavdrim Topalli, e ka pranuar fajësinë në seancën fillestare, të së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas.

Ndërsa, i akuzuari i dytë, Alban Bardiqi është deklaruar i pafajshëm, lidhur me veprën që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pranimin e fajësisë nga i akuzuari Topalli, nuk e ka kundërshtuar prokurorja Ilirjana Çollaku-Tafa.

Ndërkaq, gjykatësi i rastit, Daut Behrami, e ka njoftuar të akuzuarin Topalli, i cili ka pranuar fajësinë se gjykata pas dhënies së fjalës përfundimtare në shqyrtimin gjyqësor, do ta shpall aktgjykimin ndaj tij.

Kurse, të akuzuarin Bardiqi, i cili nuk e ka pranuar fajësinë,  e ka njoftuar se para shqyrtimit të dytë, ka të drejtë të paraqes kërkesën për hudhjen e aktakuzës si dhe të bëjë kundërshtimin e provave.

Seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar më 17 dhjetor 2019, nga ora 10:30.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në aktakuzën e ngritur me 9 shtator 2015, Lavdrim Topalli dhe Alban Bardiqi, i ka ngarkuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”, nga neni 327, paragrafi1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se më 13 qershor 2014, rreth orës 9:45, në Drenas, në rrugën “14 qershori”, në lokalin “T-PC-DVD”, pronë e të dëmtuarit Arben Haradini, më qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të sendeve të huaja, duke përdorur mjete të përshtatshme për të kryer veprën penale të vjedhjes, kanë depërtuar brenda me dhunë, duke thyer xhamin.

Sipas aktakuzës, aty kanë vjedhur gjësende te ndryshme si një TV, një bateri, një laptop, një kuti me instrumente matëse, një lekton etj, në vlerë prej 1.100.00 euro. /BetimipërDrejtësi