Njëri i akuzuar për lëndim të lehtë trupor deklarohet i pafajshëm, tjetrit i refuzohet pranimi i fajësisë

IMG_6184
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Qershor 11, 2019

Ferizaj – Në shqyrtimin fillestar të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj,  njëri nga dy të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor, Petrit Statovci, e ka pranuar fajësinë.

Ndërsa, i pafajshëm është deklaruar i akuzuari tjetër për të njëjtën vepër penale, Arton Orana.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ajtene Zoni, i akuzuari Statovci ka pranuar fajësinë për të cilën e ngarkon aktakuza, duke shprehur keqardhje për rastin që kishte ndodhur, për çka tha se është penduar, dhe i ka premtuar gjykatës që në të ardhmen nuk do të përsërisë një vepër penale të tillë apo të ngjashme.

Lidhur me këtë, gjykatësja e rastit Fitore Daci, mori aktvendim me të cilin konform nenit 248, paragrafi 3 i KPPRK-së, ka refuzuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari Statovci.

Daci tha se në këtë fazë të procedurës e ka refuzuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari Statovi, por që gjatë shqyrtimeve të tjera, sipas saj, do të merr për bazë si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë nga i pandehuri Statovci.

Tutje, ajo i njoftoi palët për të drejtën e tyre ligjore, që në afat prej 30 ditëve mund të paraqesin kundërshtimet lidhur me provat, apo kërkesën për hedhjen e aktakuzës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 tetor 2018, të pandehurit – dëmtuarit Arton Orana dhe Petrit Statovci, kishin lënduar njëri – tjetrin, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshjeje verbale, i pandehuri Orana e kishte goditur disa herë të pandehurin Statovci me grushte në fytyrë, e më pas Statovci e kishte kapur për gishta të dorës, me ç’rast, të njëjtit kishin pësuar lëndime të lehta trupore, të përshkruar edhe në ekspertizën mjekoligjore.

Për këtë, ata akuzohen, veç e veç, për kryerjen e veprës penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 1, nën paragrafi 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.  /BetimipërDrejtësi