Njëri i akuzuar ndërron adresë, shtyhet gjykimi për grabitjen e 10 eurove dhe një telefoni

Raporton: Agnesa HASANI

Mitrovicë- Mungesa e të akuzuarit Gazmend Geci, i cili nuk u gjet në adresën e dhënë, ka bërë që të shtyhet seanca e shqyrtimit gjyqësor, ku ai së bashku me Behar Gecajn po akuzohen se në shkurt të 2012- ës në bashkëkryerje,  nën kërcënimin e  revoles e thikës kanë marrë nga i dëmtuari 10 euro dhe një telefon të markës “Nokia”.

Gjykatësi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Bekim Veliqi ka njoftuar se ndaj të akuzuarit Gazmend Geci ka lëshuar urdhërarrest më 1 nëntor 2021, për arrestimin dhe shoqërimin me forcë të njëjtit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Por, në raportin zyrtar policor pranë stacionit policor në Skenderaj, të datës 3 nëntor 2021, është bërë e ditur se kanë shkuar në adresën e të pandehurit në fshatin Llaushë dhe kanë vërtetuar se aty nuk jeton askush.

Mirëpo, gjykata bën të ditur se nga disa persona kanë marrë informacione se tani i pandehurit Gazmend Geci jeton në Fushë Kosovë.

Ndaj të pandehurit Geci, gjykata prapë më 5 nëntor kishte lëshuar urdhëarrest, drejtuar stacionit policor në Fushë Kosovë, por nuk ka pranuar ndonjë raport nga i njëjti lidhur me veprimet e ndërmarra sipas urdhëresës.

Po ashtu në seancën e së hënës kanë munguar edhe mbrojtësi i të pandehurit Gazmend Geci, avokati Beshir Zani, i dëmtuari Fatmir Jetullahu dhe dëshmitarët Egzon Geci dhe Besfort Kuliqi.

Të gjithë të lartcekurit kanë qenë të ftuar në mënyrë të rregullt, por nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre.

Në këtë seancë ka munguar edhe anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Sllagjan Ribaq, i cili nuk ka qenë i ftuar për datën e sotme dhe nuk ka mundur të jetë prezent.

Ndryshe, të pranishëm në seancë ishin prokurori Njazi Rexha dhe i pandehuri Behar Gecaj.

Në këto rrethana, gjykatësi Veliqi bëri të ditur se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e kësaj seance, andaj e njëjta u shty për 10 dhjetor 2021.

Ndryshe, ish – Prokuroria e Qarkut në Mitrovicë më 21 qershor 2012 kishte ngritur aktakuzë kundër Behar Gecaj dhe Gazmend Geci.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës Behar Gecaj dhe Gazmend Geci më 15 shkurt 2012 në Mitrovicë, në bashkëkryerje, duke përdorur forcën kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personit tjetër.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Gazmend Geci në parkingun e taksive “Nori” ka arritur marrëveshje me të dëmtuarin Fatmir Jetullahu që në çmim prej 10 euro, t’i dërgojë deri në Skenderaj, në taksi me Gazmendin kanë hyrë edhe Behar Gecaj e Azem Shabani, kanë vazhduar rrugën deri te market “Florenti”, ku nga automjeti kishte zbritur Azem Shabani, ndërsa Gazmend Geci dhe Behar Gecaj kanë vazhduar rrugën për në Skenderaj.

Në aktakuzë thuhet se me të mbërritur në sheshin “Adem Jashari”, i pandehuri Gazmen Geci e ka lutur taksistin t’i vozisë deri te spitali e pastaj deri në fshatin Llaushë duke e futur në një rrugicë me borë, atëherë i pandehuri Gazmend ia ka drejtuar revolen në qafë, e ka kërcënuar se do ta vras dhe kërkon prej tij që t’i nxjerrë të gjitha paratë, ndërsa i pandehuri Behar Gecaj e ka nxjerrë një thikë dhe e ka kërcënuar që t’i nxjerrë paratë dhe telefonin.

Tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri Gecaj i ka këputur kabllot e radiolidhjes së automjetit dhe atëherë vozitësi i automjetit nga frika ka nxjerrë nga xhepi 10 euro dhe telefonin e markës “Nokia” dhe ia jep të pandehurit, më pas dy të pandehurit kanë dalë nga automjeti dhe kanë ikur në drejtim të lagjeve “Zyhrani” dhe “Sylani”.

Me këtë, dy të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprën penale “Grabitje” nga neni 255, par.3 e lidhur me par.1 e lidhur me nenin 23 të Kodit Penal.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i pandehuri Gazmend Geci deri me datën, kohën dhe vendin e përshkruar si në pikën 1 të dispozitivit, pa leje valide për mbajtjen e autorizuar të armëve ka poseduar pistoletën e markës dhe kalibrit tani të panjohur.

Me këtë ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 328, par.2 te Kodit Penal, e në bashkim real me veprën penale nën pikën 1 të dispozitivit. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë