Njëri i akuzuar mungon për shkaqe shëndetësore, shtyhet gjykimi për vrasje në tentativë

Raporton: Arlinda MUQA

Pejë- Për shkak të mungesës së të akuzuarit të dytë, Emrush Balaj për shkaqe shëndetësore, është shtyrë seanca e paraparë për të enjten, në rastin ku i njëjti ngarkohet se pas mosmarrëveshjes rreth rendit të qethjes, i shkakton lëndime trupore të pandehurit tjetër Avdi Haradinaj, e ky i fundit ngarkohet se tentoi ta privojë nga jeta, në rrethana të tejkalimit të mbrojtjes së nevojshme.

Gjykatësja Violeta Husaj-Rugova njoftoi se i pandehuri Emrush Balaj kishte njoftuar gjykatën se nuk mund të paraqitet në seancë për shkaqe shëndetësore, dhe për këtë i njëjti i kishte paraqitur gjykatës dokumentacionin mjekësor, raporton ‘’Betimi për Drejtësi’’.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, e njëjta shtyhet për 28 tetor të këtij viti.

Prezent në seancë ishin prokurori Haxhi Sinanaj, mbrojtësja e të pandehurit avokatja Aurora Mulhaxha, bashkë me të mbrojturin e saj Avdi Haradinin.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 5 tetor të këtij viti nga Prokuroria Themelore në Pejë, Avdi Haradini ngarkohet se më 29 korrik 2021, në fshatin Zallq të Istogut, në lokalin e tij ‘’Barber Shop’’, në rrethana të tejkalimit të mbrojtës së nevojshme tenton ta privojë nga jeta personin tjetër.

Sipas aktakuzës, pas një konflikti verbal dhe fizik ndërmjet të pandehurit Avdi Haradini dhe të dëmtuarit Emrush Bajlaj në brendi të lokalit, nga mosmarrëveshja për të hyrë në rend për t’u qethur, i pandehuri kishte gërshërët në dorë, duke mbrapsur sulmin e atëçastshëm, me të njëjtat e godet disa herë të dëmtuarin në pjesën e epërme të trupit, e goditjet më të rrezikshme ishin ato në krahun e majtë afër qafës dhe në gjoks, duke i shkaktuar të njëjtit lëndime të rënda trupore, ku në momentin e shkaktimit ishin të rrezikshme për jetën e tij.

Për çka thuhet sipas aktakuzës se ka kryer veprën penale ‘’Vrasje në tentativë në rrethana të tejkalimit të mbrojtjes së nevojshme’’, nga neni 172, lidhur me nenin 28 dhe 12, par.3, të Kodit Penal, i cili parasheh dënimin me jo më pak se 5 vjet burgim.

Sipas aktakuzës, me të njëjtën datë dhe vend, i shkakton personit tjetër lëndim të lehtë trupor me dëmtim të përkohshëm të shëndetit, në atë mënyrë që pas një konflikti fizik ndërmjet të pandehurit dhe të dëmtuarit Emrush Balaj, brenda lokalit në fjalë, pas asaj mosmarrëveshjes në përleshje ndërhynë edhe djali i të dëmtuarit Emrush, i mituri L.B., e që i pandehuri e godet edhe këtë të fundit, i cili pëson plagë çarëse-shqyese të indeve të buta të shuplakës së dorës së djathtë, të cilat lëndime kanë rezultuar të jenë dëmtime të lehta trupore, me dëmtim të përkohshëm të shëndetit.

Për çka thuhet sipas aktakuzës se ka kryer veprën penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’, nga neni 185, par.1, pika 1.4, të Kodit Penal, i cili parasheh dënimin me gjobë ose burgim deri në 3 vjet.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Emrush Balaj, më 29 korrik 2021, në fshatin Zallq, Komuna e Istogut, në lokalin ‘’Barber Shop’’, i shkakton personit tjetër lëndim të lehtë trupor me dëmtim të përkohshëm të shëndetit, në atë mënyrë që pas mosmarrëveshjes ndërmjet tij dhe të dëmtuarit Avdi Haradini, në hapsirën e lokalit në fjalë, i cili edhe ishte në shfrytëzim të këtij të fundit, për mosmarrëveshjen për rend të qethjes, i pandehuri Emrush fillimisht i drejtohet me fjalë fyese të dëmtuarit Avdi, e më pastaj edhe e sulmon atë, duke e goditur me grushte në pjesë të ndryshme të trupit dhe duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore, me dëmtim të përkohshëm të shëndetit.

Për çka thuhet në aktakuzë se i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’, nga neni 185, par.1, pika 1.4, të Kodit Penal, i cili parasheh dënimin me gjobë ose burgim deri në 3 vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë