Njëri i akuzuar mungon për shkaqe shëndetësore, shtyhet gjykimi për korrupsion

Raporton: Arlinda MUQA

Pejë- Për shkak se i akuzuari për dhënie ryshfeti Shefqet Gusturanaj mungoi për shkaqe shëndetësore, ka dështuar seanca e së hënës në rastin ku bashkë me të po akuzohet edhe doganieri Veton Turjaka, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Turjaka ngarkohet nga se nuk kishte marrë veprimet e duhura që malli t’i nënshtrohet kontrollit doganor dhe se për këtë kishte marrë 50 euro nga i pandehuri Shefqet Gusturanaj. Ky i fundit akuzohet për dhënie të ryshfetit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharraxhiu njoftoi se mbrojtësja e të akuzuarit Gusturanaj, avokatja Shqipdona Maraj, përmes postës elektronike kishte njoftuar gjykatën se i mbrojturi i saj ishte me probleme shëndetësore dhe nuk mund të ishte prezent në seancë.

Gjyqtari Sharraxhiu tutje bëri të ditur se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e seancës, andaj seancën e shqyrtimit kryesor e caktoi për 14 korrik 2022.

Ndryshe, në seancën e shqyrtimit fillestar, i pandehuri Turjaka ishte deklaruar i pafajshëm, ndërsa i pandehuri Shefqet kishte pranuar fajësinë për dhënie ryshfeti, por që ishte refuzuar nga Gjykata Themelore e Pejës. 

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 7 shtator 2021 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Veton Turjaka akuzohet së më 8 mars 2020, në pikën kufitare në Kullë, Komuna e Pejës, në cilësinë e personit zyrtar, nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim që personi tjetër të përfitojë dobi pasurore.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Shefqet Gusturanaj po e drejtonte automjetin “Mercedes” dhe rimorkion, ku kishte të ngarkuara gjësende të ndryshme (motorsharra, kositëse bari, biçikleta, etj). Lidhur me këtë, thuhet se i pandehuri Turjaka, si zyrtar doganor, nuk ndërmerr veprimet e duhura që malli në fjalë t’i nënshtrohet kontrollit doganor.

Me këtë, thuhet se i pandehuri Gusturanaj përfiton duke mos paguar tatimet reale dhe si rrjedhojë dëmtohet buxheti i shtetit, në vlerë prej 225 euro.

Më këtë, Veton Turjaka akuzohet ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1 të Kodit Penal, ku parashihet dënimi me burgim prej një deri në tetë vjet.

Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se me qëllim që malli që posedonte i pandehuri Gusturanaj të mos i nënshtrohej procedurave të kontrollit doganor, nga i njëjti i pandehuri Turjaka kërkon dhe merr shumën prej 50 euro, në zyrën e tij.

Më këtë, Turjaka akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 1 të Kodit Penal, ku parashihet dënimi me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.

Kurse, në dispozitivin e tretë të aktakuzës thuhet se bankënotën prej 50 euro të cilën e kishte marrë ryshfet i pandehuri Turjaka, vajza e të pandehurit Gusturanaj që gjendej në automjet, me kërkesën e këtij të fundit, e vendosë në pasaportë dhe më pas ia jep të pandehurit të parë në zyrën e tij.

Me këtë, Shefqet Gusturanaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së, ku parashihet dënimi me gjobë dhe me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë