Njëri i akuzuar mungon për shkaqe shëndetësore, dështon rigjykimi për lidhje të kontratave të dëmshme ndaj ish-zyrtarëve të BPB-së

Raporton: Blerta BARKU

Prishtinë- Për shkak se i akuzuari Nazmi Mustafa mungoi për shkaqe shëndetësore, ka dështuar të mbahet të enjten gjykimi për lidhje të kontratave të dëmshme ndaj tij dhe gjashtë ish-zyrtarëve të tjerë të Bankës për Biznes (BPB), Skender Blakqori, Nail Reshiti, Ismet Brajshori, Pashk Balaj, Sherafedin Zhitia dhe Zylfi Arifaj.

Pas precizimit të aktakuzës nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), më 8 maj 2018, të akuzuarit Mustafa, Blakqori, Reshiti, Brajshori, Zhitia dhe Arifaj po akuzohen se në vazhdimësi në bashkim kriminal kanë kryer veprën penale ”Lidhja e kontratave të dëmshme”, ndërsa i akuzuari Balaj, akuzohet për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në sancën e së enjtes, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni ka njoftuar palët se ka pranuar një parashtresë nga mbrojtësi i të akuzuarit Mustafa, avokati Berat Tmava, sipas të cilës parashtresë i mbrojturi i tij nuk mund të ishte i pranishëm në seancë për shkak të gjendjes shëndetësore.

Gjykatësja Hasaj-Hyseni shtoi se kësaj parashtrese i është bashkëngjitur edhe dokumentacioni mjekësor i të akuzuarit Mustafa.

Gjithashtu, në këtë seancë nuk ka qenë i pranishëm edhe i akuzuari Blakqori, për të cilin gjykatësja Hasaj-Hyseni deklaroi se duke e marrë parasysh gjendjen shëndetësore të tij, e kishte njoftuar paraprakisht për dështimin e kësaj seance.

“I njëjti është në karrocë dhe e kanë njoftuar të mos e sjellin për shkak se pa u plotësuar kushtet është problem të sillet”, tha ajo

Meqenëse nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e gjykimit, seanca e radhës është caktuar për 22 korrik 2022.

I akuzuar në këtë rast ka qenë edhe I.Z, por ndaj tij është pushuar procedura penale, meqenëse i  njëjti ka ndërruar jetë.

Ndryshe, ky proces gjyqësor ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, gjatë vitit 2017, pasi aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë ishte atakuar nga pala mbrojtëse.

Në dhjetor të vitit 2015, Nazmi Mustafa, Skender Blakçori dhe I.Z ishin dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me nga tre vjet burg, ndërsa Nail Reshiti dhe Ismet Brajshori me nga dy vjet e gjashtë muaj burg.

Për lidhje të kontratave të dëmshme, Pashk Balaj ishte dënuar me dy vjet burg, ndërsa për “Keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi”, Sherafedin Zhitia, ishte dënuar me një vit e gjashtë muaj burg, ndërsa Zylfi Arifaj ishte dënuar me një vit burgim.

Ky gjykim po zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e cila ishte ngritur në korrik të vitit 2011.

Kjo prokurori, ngarkon të akuzuarit se duke punuar në Bankën për Biznes (BpB), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore financiare në mënyrë të kundërligjshme, kishin lejuar dhe lidhur kontrata për të cilat e kishin ditur se ishin të dëmshme për organizatën e biznesit, ndërsa këto kredi ishin shfrytëzuar për qëllimet e vet të akuzuarve dhe për mbylljen e kredive të firmave që kishin qenë të ndërlidhura me ta.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit me veprimet e tyre i kishin shkaktuar dëm BpB-së, në vlerë prej 10 .000.300,10 euro./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në ketë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë