Njëri i akuzuar mungon pa arsye e tjetri jashtë vendit, dështon gjykimi për dhënie e marrje ryshfeti lidhur me votimin

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Prishtinë – Për shkak se i akuzuari Selman Sinani mungoi pa arsye në seancë, kurse i akuzuari Burim Hoti gjendet jashtë vendi, ka dështuar gjykimi ndaj tyre, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Sinani dhe Hoti po akuzohen për dhënie ose marrje të ryshfetit në lidhje me votim në zgjedhjet lokale të vitit 2017.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Sinani, gjykatësi Avni Syla ka thënë se i njëjti ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, lidhur me mungesën e të akuzuarit të dytë, Burim Hoti, gjykatësi tha se sipas fletëkthesës rezulton se i njëjti gjendet jashtë vendit.

Në mungesë të kushteve për mbajtjen e gjykimit, seanca është shtyrë deri më 24 nëntor 2021.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 12 mars 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Selman Sinani dhe Burim Hoti akuzohen se kanë kryer veprën penale të dhënies apo marrjes së ryshfetit në lidhje me votimin.

Në aktakuzë thuhet se në vitin 2017, gjatë fushatës parazgjedhore në lidhje me zgjedhjet lokale në Drenas, me qëllim që të ndikojë te tani i akuzuari Hoti për të votuar në favor të djalit të tij Arigon Selmani, i cili ka qenë kandidat për asamblist, i kishte paguar disa herë pije dhe ushqim nga restoranti i tij “Peshkopia”, e në këtë rast i akuzuari Hoti këto pagesa i kishte pranuar si përfitim për të votuar së bashku me familjen tij. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë