Njëri i akuzuar jashtë shtetit, dështon gjykimi ndaj të akuzuarve se transferuan në llogari bankare afër 6 mijë euro të dëmtuara

Raporton: Adea KOCI dhe Flamur KABASHI

Prishtinë-Në mungesë të të akuzuarit Albian Nika ka dështuar të mbahet seanca ndaj tij dhe Bedri Nikës, në rastin ku të njëjtit po akuzohen për pastrim parash dhe blerjen, pranimin dhe fshehjen e sendeve të përfituara me vepër penale.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Albian Nika, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mentor Bajraktari njoftoi se ka pranuar kërkesë për shtyrje të shqyrtimit gjyqësor nga mbrojtësi i të njëjtit, avokati Përparim Haliti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Albian Nika, avokati Haliti njoftoi se i akuzuari Nika gjendet jashtë vendit dhe sipas prindit të tij ai është në marrëdhënie pune dhe nuk mund të vijë në Kosovë për një periudhë 3 mujore.

Ndryshe prokurori i prokurorisë speciale, Milot Krasniqi propozoi se nuk është e dobishme të veçohet lënda për shkak se gjendja faktike dhe provat materiale janë të ndërlidhura me të dy të akuzuarit.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Albian Nika, gjykatësi Bajraktari njoftoi mbrojtësin e tij avokatin Haliti se nëse i njëjti nuk është i pranishëm në seancën e radhës atëherë ndaj tij do të veçohet procedura penale.

Ndërkaq të pranishëm ishin i akuzuari Bedri Nika me avokatin Feim Alaj dhe Durim Osmanin, përfaqësuesja e palës së dëmtuar të NLB Bank-ës, Eneida Lajçi si dhe dëshmitari Shemsi Kadriu.

Seancat e radhës për këtë çështje penale u caktuan për 20 dhe 21 dhjetor të këtij viti.

Sipas aktakuzës së ngritur me 20 dhjetor 2021, Bedri Nika nga 21 shkurti e deri më 11 mars 2021, kishte siguruar para të gatshme 118 bankënota në vlerë 50 euro, në shumë totale prej 5 mijë e 900 euro nga një burim i panjohur, e më pas të njëjtat para të dëmtuara nga një reagjent kimik, ua kishte dhënë të akuzuarit-nipit të tij Albian Nika dhe vajzës së tij Erstina Nika, për t’i deponuar në llogaritë e tyre në “NLB Bank”, në Drenas.

Sipas aktakuzës, këto para pasi i kishin deponuar në llogaritë e tyre bankare, i kishin tërhequr në bankomate të tjera në shumë të njëjtë, ndërsa kishin tërhequr para të tjera të padëmtuara dhe të njëjtat ia kishin dorëzuar të akuzuarit Bedri Nika, duke tentuar të mashtrojnë bankën dhe të maskojnë origjinën e vërtetët të parave.

Me këto veprime, të dëmtuarës “NLB Bank” në Drenas i kishin shkaktuar dëm material në vlerën e parave të deponuara dhe të tërhequra, ndërsa për vete kishin realizuar dobi pasurore të kundërligjshme.

Në aktakuzë thuhet se gjatë kontrollit të shtëpisë, të akuzuarit Bedri Nika i janë gjetur dhe sekuestruar 3 bankënota në vlerë 50 euro (gjithsej 150 euro), të dëmtuara nga kontakti me reagjent kimik.

Për këto veprime, i akuzuari Bedri Nika po ngarkohet me veprat penale “Blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale” dhe veprën penale “Pastrimi i parasë”, me të cilën vepër po ngarkohen edhe i akuzuari Albian Nika. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë