Njëri i akuzuar dënohet mbi 7 vjet burg për dy grabitje, ndërsa lirohet për 18 të tjera, tjetri dënohet vetëm për armëmbajtje

unnamed
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Shkurt 12, 2020

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën, e ka dënuar me shtatë vjet e gjashtë muaj burgim të akuzuarin për veprën penale grabitje në vazhdimësi, Eset Dragusha dhe me 1 vit burgim për armëmbajtje pa leje, ndërsa është liruar nga akuza për 18 grabitje të tjera.

Ndaj tij, gjykata ka shqiptuar dënimin unik prej shtatë vjetësh e gjashtë muaj, si dhe dënim me gjobë në shumë prej 1,000 euro, të cilin dënim nëse i akuzuari Dragusha nuk mund ta paguajë, ky dënim mund i zëvendësohet në dënim me burgim.

Aktgjykimi është shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, i akuzuari Albert Leci është dënuar me dy vjet e tre muaj burg për armëmbajtje pa leje, ndërsa është liruar nga akuza për 20 grabitje, pasi sipas gjykatëses Namani, nuk është vërtetuar se i njëjti ka kryer këto vepra penale.

Atij i është konfiskuar edhe arma automatike, e cila i ishte gjetur në shtëpinë e tij në fshatin Barlievë, ndërsa është liruar vetura “Golf 4”, pronë e Agim Lecit.

Dy të akuzuarit në dënimin e shqiptuar do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 14 nëntor 2017 e deri me 12 shkurt 2020.

I akuzuari Dragusha, është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor dhe në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit të paguajë nga 50 euro.

Palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore juridike janë udhëzuar në kontest civil.

Të akuzuarit Dragusha i është vazhduar paraburgimi, ndërsa Lecit i ndërprerë kjo masë.

I akuzuari Dragusha e kishte pranuar fajësinë vetëm për dy prej 20 grabitjet, ndërsa i akuzuari Leci nuk e kishte pranuar fajësinë për asnjërën grabitje.

Sipas aktakuzës së ngritur më 25 prill 2018, Eset Dragusha dhe Albert Leci, akuzoheshin se gjatë vitit 2017, kishin përfituar në mënyrë të kundërligjshme dobi pasurore duke grabitur shuma të ndryshme të të hollave, nga 100 euro, deri tek shuma më e lartë që kap vlerën 6000 euro.

Prokuroria pretendonte se këto të holla të pandehurit i kishin përfituar kundërligjshëm dhe atë nën kërcënimin e armës nga “Maxi”, “Albi Mall”, “Meridian Expres”, “Kam”, “Vipros”, “Albi”, në barnatoren “Humana”, pastaj në pompat e derivateve “Petrol Company”, “ Veda 3 ”, “Labi OIL”, “Veda Petrol”, nga “Ëestern Union” etj.

Me këto veprime, Prokuroria i ngarkonte  se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale “grabitja”, nga neni 329 par.3 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të KPRK-së si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, nga neni 374 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi