Njëri avokat i zënë në tjetër seancë, shtyhet gjykimi ndaj dy të akuzuarve se u rrahën mes vete

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë – Me kërkesë të avokatit të të akuzuarit Bledar Kusari, Egzon Doli, i cili ka njoftuar gjykatën se është i angazhuar në një seancë tjetër, është shtyrë seanca e së mërkurës.

Në këtë rast, të akuzuarit Dren Bakalli dhe Bledar Kusari, ngarkohen se i  shkaktuan lëndime të lehta trupore njëri-tjetrit pas një mosmarrëveshje që kishin mes vete, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e avokatit Doli, gjykatësja Diana Sina tha se i njëjti përmes një parashtrese e ka njoftuar gjykatën se në të njëjtën ditë dhe orë është i angazhuar në një seancë tjetër në këtë gjykatë.

Në këto rrethana, kjo seancë është shtyrë për 1 dhjetor 2021.

Ndryshe, në seancë ishin prezent i akuzuari Bakalli dhe mbrojtësi i tij, avokati Ergjyment Barbullushi, dëshmitari Fatlum Gashi dhe prokurorja Deshirë Jusaj.

Ndërsa, ka munguar edhe i akuzuari Kusari, i cili sipas gjykatëses ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt për këtë seancë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se më 11 janar 2021, në rrugën “Ali Hasi” në Gjakovë, prapa parkingut të Qendrës Tregtare “Viva Fresh Store”, i akuzuari Dren Bakalli i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Bledar Kusari.

Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që si rrjedhojë e një mosmarrëveshje të mëparshme që kishin mes vete, ditën kritike posa takohen, shkëmbejnë shikime mes vete, e më pas i dëmtuari Bledar i drejtohet të akuzuarit Dren me fjalët “eja me mua dhe të pimë kafe”, ashtu që i akuzuari Dren i revoltuar del nga vetura dhe i drejtohet të dëmtuarit me fjalët “pa ta q* nanën s’kam me të lënë qetash”.

Në aktakuzë thuhet se më pas e sulmojnë fizikisht njëri tjetrin, ashtu që i akuzuari Dren e godet fillimisht me grushte në regjionin e qafës dhe më pas e kapë për gjoksi dhe e shtynë duke e rrëzuar për toke, me ç’rast të dëmtuarit i shkakton lëndime trupore.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 i Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Tutje sipas aktakuzës, i akuzuari Bledar Kusari po akuzohet se ditën kritike të cekur si më lartë i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore Dren Bakallit, ashtu që i njëjti e godet të dëmtuarin Dren me grushte në pjesën e dajthtë të fytyrës, në regjionin e nënmjekrës së anës së djathtë dhe në regjionin muror të dy anëve të kokës.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 i Kodit Penal, vepër kjo që dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë