Një zyrtar policor dhe tre qytetarë arrestohen për organizim të bixhozit të paligjshëm

IPK
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Korrik 27, 2020

Prishtinë – Një zyrtar policor dhe tre qytetarë janë arrestuar të dielën, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas komunikatës, IPK-ja rreth dy muaj më parë kishte pranuar informacione përmes rrugëve operative se një i dyshuar (zyrtar policor në Gjakovë) mund të jetë i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme.

“Bazuar në këto informacione, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorin kompetent filluan të ndërmarrin veprime hetimore/operative duke përfshirë edhe masat e fshehta të hetimit ndaj zyrtarit policor.”, thuhet në komunikatë.

“Bazuar në dëshmitë dhe provat e mbledhura si dhe bazuar në urdhrin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, të dielën është realizuar operacioni i cili rezultoi me arrestimin e një zyrtari policor dhe tre qytetarëve me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, thuhet tutje në komunikatën e IPK-së.

Sipas komunikatës, veprimet hetimore kanë vazhduar me bastisje në Gjakovë, ku janë gjetur dhe sekuestruar prova të ndryshme, kurse të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Bëhet e ditur se, veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës. /BetimipërDrejtësi