NJË VJET E GJASHTË MUAJ BURG PËR AKSIDENT TRAFIKU ME FATALITET

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Ragip Bajrami i akuzuar për veprat penale “rrezikim i trafikut publik” dhe “mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në aksident të trafikut publik”, është dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim. Gjithashtu tani të dënuarit me aktgjykim e shpallur, i është ndaluar drejtimi i automjetit në kohëzgjatje prej tri vitesh. Shpallja e aktgjykimit ndaj Bajramit është bërë nga gjykatësja individuale, Hakile Ilazi të martën në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

I akuzuari Ragip Bajrami për veprat penale që e rëndonin pranoi fajësinë, dhe deklaroi se është penduar thellë për atë që ka ndodhur, dhe pothuajse tërë kohën ai kërkonte falje nga familjarët e tani të ndjerit Muharrem Qali dhe gjithashtu gjatë kohës ishte i përlotur. Por lidhur me faktin që ka ikur nga vendi i ngjarjes pa i ofruar ndohmë të ndjerit Qali, ai deklaroi se këtë e ka bërë nga frika dhe nuk e kishte menduar që e ka goditur për fatalitet.

Sipas akuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj,të 11 shkurtit 2016 i pandehuri Ragip Bajrami akuzohej se gjatë drejtimit të automjetit të tij, në rrugën lokale në fshatin Slivovë – Ferizaj, nga pakujdesia ka goditur të ndjerin Muharrem Qali i cili ishte duke drejtuar biçikletën e tij, me ç’rast si pasojë e goditjes Muharrem Qali ka vdekur në vendin e ngjarjes.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë