Një vit pas shpalljes së aktgjykimit nga shkalla e parë, Apeli ende pa vendim në rastin “Veteranët”

Raporton: Gzime HASHANI

Prishtinë – Ka kaluar një vit prej se Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dhënë verdiktin e saj në rastin e njohur si “Veteranët”, ku për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar janë akuzuar ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari. Por, Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë vendim për këtë rast.

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues më 19 janar 2021, për akuzën se duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të akuzuarit i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi në këtë rast ishte përpiluar tre muaj më vonë, ku Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) brenda 15 ditësh kishte pasur mundësi të ushtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi.

Nga ajo kohë, kjo lëndë gjendet në Gjykatën e Apelit, e që sipas kësaj të fundit, në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ende nuk është vendosur në këtë rast.

“Betimi për Drejtësi” ka kërkuar vazhdimisht nga Gjykata e Apelit informacione se cili është gjykatësi i ngarkuar me këtë rast dhe nëse lidhur me këtë rast është caktuar seanca, mirëpo nuk ka marrë përgjigje në pyetjet drejtuar kësaj gjykate.

Në përgjigjen e gjykatës është bërë e ditur vetëm se lënda ende nuk është përfunduar dhe se me këtë lëndë është ngarkuar Departamenti Special i Gjykatës së Apelit.

Tashmë janë bërë një vit prej se është marrë aktgjykimi nga shkalla e parë dhe ende nuk është dhënë një epilog nga gjykata e shkallës së dytë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin të vitit 2019.

Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

Kurse pas seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2021, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve në këtë rast.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzoheshin se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë përfshirë 12 persona, të cilët ngarkoheshin me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i printe Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshonte masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohej se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë