Një vit e gjysmë burg ndaj të akuzuarit që pranoi se me veturë goditi për vdekje këmbësorin dhe nuk i ofroi ndihmë

13 foto florie
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Gusht 13, 2019

Pejë – Gjykata Themelore në Pejë, të martën, e ka shpallur fajtor Egzon Blakajn, i akuzuar për veprat penale, rrezikim i trafikut publik dhe mosdhënie të ndihmës personit të lënduar.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Florie Zatriqi, i akuzuari Blakaj është dënuar me 15 muaj burgim për veprën penale të trafikut publikut dhe me gjashtë muaj burgim për veprën të mosdhënies së ndihmës personit të lënduar në aksident trafiku.

Por, më pas, për të dy veprat penale, i akuzuari është dënuar me dënim unik prej një viti e gjashtë muaj burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj tij, gjithashtu është shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i vozitjes për dy vjet, pasi që i akuzuari ta mbaj dënimin me burgim.

Kurse, pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës për dëmshpërblim, është udhëzuar në kontest civil.

I akuzuari pas shpalljes së aktgjykimit, është liruar nga paraburgimi, derisa aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 2 korrik të vitit 2019, i akuzuari Blakaj ishte deklaruar i pafajshëm për veprën për të cilën akuzohet, ndërsa në seancën e së martës, pasi seanca e shqyrtimit të dytë është anuluar, i akuzuari e ka pranuar fajësinë për të dy veprat penale.

Sipas aktakuzës së ngritur më 27 maj 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Egzon Blakaj, akuzohet se më 14 prill 2019, rreth orës 02:00, në Pejë, derisa ishte duke qarkulluar me veturën e tipit “Golf 2”, në afërsi të shkollës ekonomike, kalon në krahun e kundërt të lëvizjes dhe e godet këmbësorin A.C, i cili më pas ndërron jetë.

Pika e dytë e aktakuzës, të pandehurin Blakaj, e ngarkon atë edhe për mosdhënie të ndihmës, tani të ndjerit, ashtu që pasi i pandehuri e godet me veturën e tij viktimën, nuk ndalon fare për t’i ofruar ndihmë dhe largohet nga vendi i ngjarjes. /BetimipërDrejtësi