Gjakovë – Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, të hënën, i akuzuari Arton Lumi, gjatë shqyrtimit fillestar, ka pranuar fajësinë për përvetësim të paligjshëm gjatë ushtrimit të detyrës, si zyrtar i kompanisë së sigurimeve “Dardania” në vlerë rreth 68 mijë euro, për të cilën vepër është dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim.
Shqyrtimi ka filluar me leximin e aktakuzës nga prokurori i çështjes, Ali Selimaj, me të cilën e ngarkonte të pandehurin se kishte kryer veprën penale të përvetësimit të paligjshëm, ndërsa i akuzuari pas konsultimeve me avokatin e tij, Agim Haraçia, të cilin ia ka caktuar gjykata sipas detyrës zyrtare, ka pranuar fajësinë.
Kryetari i trupi gjykues, Artan Sejrani, ka shpallur aktgjykimin me të cilin e ka dënuar të pandehurin me burgim, në afat prej një viti e gjashtë muajsh, ndërsa kompaninë e sigurimeve “Dardania”, për kërkesën pasurore-juridike, e ka udhëzuar në kontest civil.
Në shtator të vitit të kaluar, Prokuroria Themelore në Gjakovë, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Arton Lumi, me të cilën e akuzonte se ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme, gjatë ushtrimit të detyrës si zyrtar për inkasim, në kompaninë e sigurimeve “Dardania”, shumën prej rreth 68 mijë euro.