NJË VIT DËNIM ME KUSHT PËR ARKATARIN E PTK-SË

Raporton: Gita LUSHI

Prishtinë – Ish-zyrtari i Post- Telekomit të Kosovës, Shemsi Mehmeti, është dënuar me një vit me kusht për veprën penale  “përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”. Sipas aktgjykimit të shpallur të enjtën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Mehmeti është dënuar me kusht që në dy vjetët e ardhshëm, të mos kryej asnjë vepër penale, si dhe të paguaj 430 euro gjobë, shumë e precizuar nga PTK si palë e dëmtuar.

Shuma prej 430 euro është pjesa e mbetur nga 17.998.60 euro që akuzohej se kishte përvetësuar Mehmeti gjatë punës së tij si zyrtarë në PTK, shumë e cila i është ndaluar vazhdimisht nga paga mujore.

Vendimi i  gjykatës për shqiptimin e këtij dënimi ka ardhur pas pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Sipas aktakuzës, Mehmeti akuzohej se më 13 dhjetor 2011, në cilësinë e arkatarit në PTK me seli në fshatin Bardh i Madh, komuna e Fushë Kosovës, kishte përvetësuar paratë që i janë besuar në bazë të detyrës së tij.

Në këtë mënyrë sipas prokurorisë duke shfrytëzuar pozitën e tij, Mehmeti nga pazari javor nga shitja e kartelave gërvishtëse, mbushje elektronike e telefonave, shitja e pullave postare dhe shitja e SIM kartelave, në shumë prej 17.998,60 euro, të cilat kishte pasur për detyrë t’i depononte në “Raiffeisen Bank”, por i njëjti këto para nuk i kishte deponuar por i kishte ndalur për vete, duke dëmtuar PTK-në për shumën e cekur.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë