Një vit burgim pasi pranoi se nga pakujdesia shkaktoi aksident ku një fëmijë u lëndua rëndë
Raporton: Elmaze GËRGURI HALITI
Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 12 muaj burgim të akuzuarin Kadri Krasniqi pasi pranoi fajësinë se në 2016-ën, nga pakujdesia shkaktoi aksident ku një fëmijë pësoi lëndime të rënda trupore.
Aktgjykimi është shpallur të enjten nga gjykatësja Vlora Pacolli-Rexhepi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën fillestare të mbajtur me 28 dhjetor të këtij viti, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fatmire Cacaj, i akuzuari ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.
Dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit do të ekzekutohet sapo aktgjykimi të marrë formën e prerë
Po ashtu, i akuzuari obligohet të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë 30 euro në emër të paushallit gjyqësor, 30 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit dhe 40 euro për ekspertizën e komunikacionit rrugor.
Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.
I akuzuari ka kërkuar nga gjykata që dënimin me burgim t’ia zëvendësoj në dënimin me gjobë.
Një gjë të tillë gjykatësja Pacolli-Rexhepi nuk e ka aprovuar, sepse sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ky dënim nuk mund të zëvendësohet me gjobë, e njëjta e udhëzoi për të drejtën e ankesës në gjykatën e shkallës më të lartë në afat prej pesëmbëdhjetë ditësh pas pranimit të këtij vendimi.
Po ashtu, i akuzuari obligohet të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë 30 euro në emër të paushallit gjyqësor, 30 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit dhe 40 euro për ekspertizën e komunikacionit rrugor.
Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.
Sipas aktakuzës së ngritur më tetor të 2017-ës nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Kadri Krasniqi po akuzohet se më 24 tetor 2016, në rrugën Podujevë- Prishtinë, me të arritur në fshatin Bardhosh te shkolla “Anton Zako Çajupi” duke drejtuar veturën e tipit “VË Pasat”, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes dhe kushteve të rrugës, dendësinë e trafikut në mënyrë që mjetin ta ndalë në çdo kohë, në zonën e vendkalimit afër shkollës, ku rruga ishte e rregulluar me shenja përkatëse të trafikut, me pjesën e përparme të automjetit e godet duke e hedhur në tokë të dëmtuarën R.I, e cila në ato moment po kalonte rrugën nga ana e majtë në të djathtë të drejtimit të automjetit.
Me këtë rast, thuhet se e dëmtuara sipas ekspertizës mjeko-ligjore ka pësuar dëmtime të rënda trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.
Me këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 378, paragrafi 8 me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vite. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.