Një vit burgim me kusht, pranoi se kanosi të dashurën dhe mbajti armë pa leje

Raporton: Senad Lokaj                         

Gjakovë –  I akuzuari D.K, është dënuar me një vit burgim me kusht pasi e ka pranuar fajësinë se më 19 dhjetor 2021, e ka kanosur përmes rrjeteve sociale të dashurën e tij, si dhe se ka mbajtur armë pa leje.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Ilir Rashkaj, fillimisht i akuzuari për veprën penale të kanosjes është dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe për armëmbajtje pa leje me 6 muaj burgim me kusht.

Më pas, ndaj të njëjtit është shqiptuar dënimi unik me burgim me kusht në kohëzgjatje prej një viti.

Dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej dy vitesh.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, thuhet se i akuzuari D.K. më 19 dhjetor 2021, në Gjakovë, me qëllim të shkaktimit të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit seriozisht e kanos të dëmtuarën Q.B.

Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që pasi ai dhe e dëmtuara janë në lidhje dashurie, dhe që nga qershori i vitit të kaluar bashkëjetojnë, ndërsa në datën e lartcekur në mes tyre kishte ndodhur një mosmarrëveshje, e ku i akuzuari e kishte telefonuar në rrjete sociale me kamerë duke e kërcënuar me armë në dorë dhe me fjalët “Me qet allti ka me të vra”, më pas e kishte thirrë përsëri dhe i kishte treguar një thikë duke i thënë “ Me qet thikë kam me të pre dhe se nuk guxon me qenë me një person tjetër se edhe ato edhe ty ju vras”, me çka, me këto veprime tek e akuzuara ka shkaktuar frikë dhe ankth.

Me këto veprime, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181 paragrafi 2 të Kodit Penal.

I njëjti po akuzohet se ka mbajtur edhe armë pa leje, përkatësisht armën me gaz, të cilën e kishte hedhur në mbeturina e dëmtuara ditën kritike.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 i Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë