Një vit burg ndaj të akuzuarit për vjedhje të rëndë, veçohet procedura për të akuzuarin se bleu mallin e vjedhur

fotoja e gjykates (1)
Author

Raporton: Vjollca QERIQI

Korrik 8, 2019

Lipjan – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, të hënën, e ka dënuar me një vit burg të akuzuarit për vjedhje e rëndë, Trim Aliu.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë gjykatësi Avdirrahman Gashi, i cili ka thënë se ky dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi është shpallur pasi që i akuzuari Aliu, e ka pranuar fajësinë, duke shtuar se ndihet shumë i penduar për veprimet e tij.

Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit është pajtuar edhe prokurorja Fatmire Cacaj, pasi sipas saj, ky pranim fajësie është në pajtim me dispozitat përkatëse ligjore.

Po ashtu, me pranimin e fajësisë është pajtuar edhe mbrojtësi i të akuzuarit, i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Nebih Troshupa.

Avokati Troshupa i ka propozuar gjykatës që ndaj të akuzuarit të merren parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese, pasi që i mbrojturi i tij është i penduar për këtë veprim.

Gjykatësi Gashi, po ashtu të akuzuarin e ka obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 20 euro, si dhe në emër të fondit për kompensimin e viktimave të paguajë 30 euro të tjera.

Në këtë rast, për veprën penale “blerje, pranim ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, është akuzuar edhe Gentrit Gashi, ku sipas gjykatësit Gashi për të njëjtin është lëshuar urdhëresë, por sipas tij, prapë ka qenë i paarritshëm për gjykatën.

Andaj, me propozimin e prokurores Fatmire Cacaj ndaj tij, me aktvendim është veçuar procedura.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur me 1 nëntor 2018, i akuzuari Trim Aliu, më 7 qershor 2018, rreth orës 20:20, në fshatin Kojskë të Lipjanit, me qëllim që me përvetësimin e sendit të huaj vetit t’i sjell përfitime pasurore të kundërligjshme ka shkuar tek shtëpia e tani të dëmtuarit Mirsad Berisha.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti pasi që ka vërejtur se në atë shtëpi, për momentin nuk ndodhet askush, duke përdorur mjete të përshtatshme, deri tani të paidentifikuara, me forcë ka hapur derën e hyrjes duke depërtuar brenda në shtëpi.

Sipas aktakuzës, ai ka arritur që nga aty të vjedh një sasi të bizhuterisë, dhe një çerek lire prej ari, dhe pasi që në shtëpi ishte ndezur alarmi, ai kishte dalë me shpejtësi, duke i marrë gjësendet me vete dhe largohet në drejtim të panjohur.

Me këto veprime, ai akuzohet se e ka kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”, nga neni 327 par 1 nën par 1.1 të KPRK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 7 qershor 2018, i akuzuari i dytë Gentrit Gashi, pasi që paraprakisht ishte takuar me të akuzuarin Aliu edhe pse ka mundur ta dijë se sendi ka qenë i përfituar me kryerjen e veprës penale, ai ka pranuar që të blejë pasurinë e huaj të luajtshme, konkretisht një çerek lirë.

Me këto veprime, Gashi akuzohet se e ka kryer veprën penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, nga neni 345 par 2 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi