Një vit burg me kusht për të akuzuarin që pranoi fajësinë për kultivim të bimës narkotike

Amiri
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Dhjetor 9, 2019

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë, të hënën, e ka dënuar me një vit burg me kusht të akuzuarin për kultivim të bimëve narkotike, Xhevdet Islami.

Ky dënim, nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari Islami, brenda dy viteve nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata, po ashtu ka urdhëruar konfiskimin e bimës narkotike, me peshë neto prej 181.75 gramë.

Krahas kësaj, gjykata e ka obliguar të pandehurin që të paguajë për shpenzime procedurale shumën prej 20 euro, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 20 euro, si dhe në emër të fondit për kompensimin e viktimave shumën prej 50 euro.

Këtë dënim, e ka shqiptuar gjykatësi Bekim Veliqi, të hënën, pasi i pandehuri paraprakisht e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohej.

Lidhur me dënimin, gjykatësi Veliqi, i ka njoftuar palët për të drejtën e tyre në ankesë brenda afatit ligjor.

Fillimisht, në seancën e shqyrtimit fillestar, prokurori Njazi Rexha, e ka rikualifikuar veprën penale “prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope analoge apo veglave, pajisjeve apo materieve narkotike”, nga neni 274, paragrafi 1 të Kodit Penal të mëparshëm, në veprën penale “kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272, paragrafi 1 të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës, për të cilin siç tha prokurori, është më i favorshëm për të pandehurin.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me 25 shtator 2014, kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhevdet Islami.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Islami, në pranverën e vitit 2011, në bahçen e tij, në fshatin Shipol të Mitrovicës, në mes të perimeve tjera kishte kultivuar bimën e kanabisit, duke u përkujdesur për të rreth ujitjes, heqjes së barit përreth bimës, e cila kishte arritur peshën neto 181.75 gramë, e që i ishte konfiskuar më 3 gusht 2011, pas kontrollit nga ana e policisë. /BetimipërDrejtësi