Një muaj paraburgim se me veturë qëllimisht goditi njërin të dëmtuar e më pas i sulmoi me mjet të fortë

Author

Raporton: Avni Berisha

Shtator 14, 2021

Rahovec–Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ka shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Luan Durguti, i cili ngarkohet se goditi të dëmtuarin Egzon Sylka me veturë, e më pas atë dhe të dëmtuarin tjetër Arlind Kryeziu, i sulmoi me mjet të fortë.

Në seancën dëgjimore të mbajtur të martën, prokurori Anton Hasanaj, ka deklaruar se ka propozuar caktimin e masës së paraburgimit për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri më 12 shtator 2021, në Rahovec me dashje, me veprime dhe me mjete të rrezikshme, rrezikon të dëmtuarit Egzon Sylka dhe Arlind Kryeziu. Me këtë rast, të dëmtuarit Egzon i shkakton lëndime të lehta trupore, e pas kësaj të njëjtin e sulmon me mjet të fortë.

Ndërsa, mbrojtësi i të pandehurit, avokati Myhedin Bekeri e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë duke shtuar se masa e propozuar nga prokuroria është e rëndë.

Avokati Bekeri i propozoi gjykatës që për të pandehurin të caktohet një masë më e butë siç është masa e arrestit shtëpiak apo e paraqitjes së të pandehurit në stacionin policor.

Ai tha se i mbrojturi i tij, ndjen keqardhje për rastin e ndodhur, ka premtuar se nuk do ta përsëris veprën dhe i njëjti është i gatshëm të zgjatë dorën e pajtimit.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Mizahir Shabani, pas deklarimit të palëve, ka marrë vendimin mbi caktimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, duke cekur se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së paraburgimit konform dispozitave  të nenit 165, të KPPK-së.

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka parashtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj Luan Durgutit më 13 shtator 2021, për arsye ngarkohet për tri vepra penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Lëndim i lehtë truporë” dhe “Sulm”.

Në pikën një të  kërkesës thuhet se me datë 13 shtator 2021 në Rahovec rr.  “Selajdin Mullabazi” pas një mosmarrëveshje të mëparshme, pasi që i dëmtuari Arlind Kryeziu kohë më parë ka qenë në lidhje me motrën e të pandehurit dhe kishte ndërprerë lidhjen me të.

Në ditën kritike thuhet se derisa Kryeziu dhe i dëmtuari tjetër Egzon Sylka kanë qenë duke ecur bashkë në rrugë dhe pastaj në trotuar, i pandehuri në shenjë revolte ndaj të dëmtuarit Arlind, duke drejtuar veturën e tij “Audi A3”, rrezikon jetën e të dëmtuarëve me shpejtësi dhe me qëllim në drejtim të tyre ku si pasojë e godet të dëmtuarin Egzon Sylka, derisa i dëmtuari Arlind Kryeziu arrin që t’i shmanget goditjes, me çka shkakton rrezik të madh për jetën e të dëmtuarve.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 par.1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Sipas kërkesës së prokurorisë, në vend dhe kohë të njëjtë me veprimet e përmendura si në dispozitiv I, të kërkesës, i pandehuri i shkakton lëndim të lehta trupore të dëmtuarit Egzon Sylka, lëndime këto të vërtetuara nga raporti mjekësor i lëshuar nga QKMF-së, në Rahovec, më 12 shtator 2021.

Me çka ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185, par.2, nënparagrafi 3.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Tutje në kërkesë thuhet se më datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivit I, me dashje, me përdorim të forcës fizike i sulmon të dëmtuarit Egzon Sylka dhe Arlind Kryeziu, me mjet që mund të shkaktojë lëndime të rënda trupore apo dëmtim të rëndë të shëndetit.

Thuhet se i pandehuri Luan Durguti për shkak të mosmarrëveshjes me të dëmtuarin Arlind dhe pas shkaktimit të rrezikut për jetën e të dëmtuarve në mënyrën e cekur si në pikën e parë dhe të dytë të dispozitivit, i pandehuri del nga vetura e tij dhe me mjet të fortë-zingjir me gjatësi prej 10 hallkave, i sulmon të njëjtit duke i goditur edhe atë fillimisht të dëmtuarin Arlind dhe menjëherë të dëmtuarin Egzon, duke iu shkaktuar të dëmtuarave dhimbje fizike.

Me këto veprime ka kryer veprën penale “sulm” nga neni 184, par.2, nënparagrafi.3.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal, vepër e cila është e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohet të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.